Haxhi Bajram Veli

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Wed, 6 Feb 2013 14:56:46 +0100
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFnd2EG=4VGM-7Qqt30eshbnAN4owHU+LBM=_j0oPAfnqQ@mail.gmail.com>
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 05

http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=980d7ab4-bbed-4e09-bec8-2195abb43584
Këtë javë do të flasim për Haxhi Bajram Veliun. Do t’u hedhim një shikim
jetës dhe filozofisë së këtij shëruesi të zemrave dhe shpirtrave, i cili u
tregonte “zemrën” si adresë atyre, që viheshin në kërkim të Perëndisë.
[image: Deti i diturisë së Anadollit 05]
                Postuar më 04.02.2013 10:47:44 UTC
 Përditësuar më 04.02.2013 10:59:21 UTC

Anadolli... Pika e kryqëzimit të rrugëve... Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm
për rrugët gjeografike, por edhe për ato politike e shpirtërore. Duke qenë
se kemi të bëjmë me një situatë të tillë, po ua lëmë juve të imagjinoni sa
i ngjeshur ka qenë trafiku historik në këtë rajon.

Ishte thuajse e pamundur t’u qëndrohej larg fatkeqësive teksa në rajon
kishte kaq shumë lëvizje dhe gjallëri. Ashtu siç e kemi shpjeguar edhe në
programet e kaluara, luftërat dhe rrënimet e kanë goditur disa herë këtë
hapësirë gjeografike. Por Anadolli arriti çdo herë t’i mjekojë plagët dhe
të ngrihet sërish në këmbë falë evliave, dijetarëve dhe njerëzve të
devotshëm.

Anadollin e ndanin vetëm pak vite nga fillimi i shekullit të 15-të; pra
kishte kaluar një kohë e gjatë nga invazioni i madh mongol, për të cilin ju
kemi folur në pjesët e kaluara të programit, dhe vendi sapo kishte filluar
të rimëkëmbej. Më në fund edhe otomanët kishin arritur të ndërtonin një
rend politik e të vendosnin qetësinë në popull. Pikërisht në këtë periudhë
do të niste një valë e re përleshjesh dhe Anadolli do të zhytej sërish në
një epokë të errët. Lufta e Sulltan Bejazidit të Rrufeshëm me Emirin mongol
Timur i dha një tjetër grusht të fuqishëm bashkimit politik në Anadoll.

Megjithatë e keqja e madhe, që ishte parashikuar nga strategët e
atëhershëm, nuk ndodhi dhe Anadolli u rimëkëmb me shpejtësi brenda disa
dekadave nga lufta në fjalë. Madje vetëm gjysmë shekulli më vonë osmanët
ngadhënjyen Stambollin duke hapur një epokë të re për t’u fuqizuar çdo ditë
e më shumë.

“Ushtarët e Horasanit” kishin mbjellë një fidan të jashtëzakonshëm dhe
kishin rritur një pemë me rrënjë të fuqishme në këto toka. Kjo pemë nuk
përkulej dhe as thyhej, megjithëse mund të tronditej nga luftërat,
thatësira dhe rrënimet. Urtësia, mençuria dhe dituria e Anadollit kishte
fituar aftësitë, që nevojiteshin për të kapërcyer çdo lloj fatkeqësie.
Sepse nxënësit e Ahmed Jeseviut dhe Mevlana Xhelaledin Rumiut i kishin
mësuar njeriut të Anadollit sekretet e optimizmit dhe qëndrimit ballëlart e
të palëkundur në jetë.

Falë kësaj Anadolli ishte i përgatitur ndaj fatkeqësive, që prijësi
legjendar i mongolëve, Timurlenk, mbolli për disa vjet në Anadollin e
fillimit të shekullit të 15-të. Pikërisht në atë kohë, në momentin e duhur,
në Anadoll gjendeshin Haxhi Bajram Veliu dhe nxënësit e tij, hallka e re që
iu bashkua zinxhirit të mjeshtërve të mëdhenj. Ata filluan nga zemrat dhe
shpirtrat të mjekonin plagët e popullit të Anadollit dhe kurimin e
përfunduan sërish në zemra.

Në fund të kurës i njëjti popull u ngrit në këmbë shumë më i fuqishëm se sa
më parë, u shkund dhe vazhdoi të bëjë histori saktësisht nga pika ku kishte
mbetur.

Këtë javë në programin “Deti i diturisë së Anadollit” do të flasim për
Haxhi Bajram Veliun. Do t’u hedhim një shikim jetës dhe filozofisë së këtij
shëruesi të zemrave dhe shpirtrave, i cili u tregonte “zemrën” si adresë
atyre, që viheshin në kërkim të Perëndisë.

Haxhi Bajrami jetoi mes viteve 1352-1430. Haxhi Bajrami lindi në një fshat
të vogël të Ankarasë dhe u bë një dijetar i islamit. Emri i tij i vërtetë
ishte Numan, por ai e ndryshoi atë në Bajram pasi u takua, gjatë
aktiviteteve të Kurban Bajramit, me udhëheqësin e tij shpirtëror, Baba
Bukëshitësin (Somuncu Baba), nga i cili mori edhe mësime sufizmi.

 Pra Haxhi Bajrami u bë nxënës i këtij dijetari, që njihej me emrin Baba
Bukëshitësi, i cili ishte një mjeshtër për ta treguar veten si njeri i
zakonshëm edhe pse kishte njohuri shumë të thella në disa fusha. Ai shiste
bukë me aromë të mrekullueshme dhe nuk para e bënte publik identitetin e
tij. Por një ditë të bukur Baba Bukëshitësi u njoh me një tjetër dijetar
dhe me propozimin e tij u detyrua të ligjëronte gjatë përurimit të një
xhamie në Bursa. Ai mbajti fjalimin në prani të sulltanit dhe të gjithë të
pranishmit mbetën shumë të kënaqur, por edhe të habitur nga oratoria dhe
dituria e këtij bukëshitësi modest. Mirëpo Baba Bukëshitësi, i cili nuk
dëshironte aspak të ishte i famshëm, u largua menjëherë nga ai qytet dhe u
vendos në një provincë tjetër. Pikërisht gjatë këtij udhëtimi dijetari i
thjeshtë u njoh me Haxhi Bajramin.

Ky i fundit nga mjeshtri i tij, që dinte ta eliminonte mendjemadhësinë
brenda vetes dhe ishte po aq modest sa edhe toka, mësoi se çdo të thotë të
jesh sufi, njeri që shikon me syrin e zemrës. Falë mësuesit të tij, Haxhi
Bajrami kuptoi se zemra përbën qendrën e jetës dhe rrugëtimi esencial i të
gjitha udhëtimeve është në drejtim të zemrave. Prandaj, pas vdekjes së Baba
Bukëshitësit, ai filloi të mbledhë një numër të madh nxënësish për t'u
shpjeguar njerëzve këtë sekret.

Të gjitha mësimet, që do të jepte ky njeri i shenjtë, ishin të fshehura në
këtë vjershë të tij:

*            Në do veten të kuptosh*

*            Thelbin brenda zemrës ta kërkosh*

*            Gjej çastin kalo zemrën*

*            Njih veten ti, njih veten*

Çdo lloj i tëhuajtjes është i keq dhe i dëmshëm. Është një ves i keq, që
shkakton keqkuptime, mosmarrëveshje, konflikte, luftëra. Dhe kundërhelmi i
këtij vesi është rritja e ndjenjës së bashkimit mes njerëzve.

E gjithë filozofia e Haxhi Bajram Veliut është themeluar mbi konceptin e
bashkimit dhe të gjitha lëvizjet, manovrat e tij të mençura kishin në
shënjestër këtë ndjenjë të bashkimit.

Ideja e bashkimit është pasqyruar edhe në mënyrën e tij të arsyetimit,
kuptimit të ekzistencës. Sipas tij, qenia e vërtetë dhe e vetme është
Perëndia. Ndërsa vullneti i njeriut është një pjesë e vullnetit të Zotit.
Të shikosh “Perëndinë, që gjendet në të gjitha krijesat”, duhet të jetë
synimi thelbësor i jetës. Dhe njeriu përfundimisht duhet përshkruar me
cilësitë e Krijuesit, që vërehen në natyrë.

 Mirëpo si do të bëhet kjo? Çfarë rruge duhet të ndjekin njerëzit për të
pasur një jetë të drejtë, të moralshme dhe të virtytshme? Ja pra,
përgjigjja, që i jep ai kësaj pyetjeje, është “kthimi në zemër”. Haxhi
Bajram Veliu theksonte se rruga për të kuptuar dhe arritur Perëndinë fillon
nga ndezja e një shkëndije drite në zemër. Njeriu, që u distancohet
dëshirave, kënaqësive, epsheve kalimtare dhe ushqen fidanin e dashurisë në
zemër, do t'ia arrijë qëllimit.

Këto mendime të tij në fakt të sjellin ndërmend gjithashtu emra si Pitagora
dhe Aristoteli. Madje ide të ngjashme me këto ekzistojnë edhe jashtë
hapësirës gjeografike të Anadollit, në traditat e urtësive lindore. Por
këtu ia vlen të nënvizojmë se Haxhi Bajrami asnjë mendim të tijin nuk e ka
mësuar duke shfletuar librat e vjetër. Ky dijetar nuk i kapërcyer kurrë
kufijtë e shkollës së sufizmit, apo misticizmit dhe filozofisë islame, ai
ka arritur në këto mendime duke notuar pash më pash në detin e diturisë së
Anadollit. Në fund të fundit filozofia është një traditë, që zgjatet si një
rrugë e pafundme, dhe të gjitha shtigjet e mendimit bashkohen në këtë rrugë.

Nuk ka kurrfarë dallimi, qoftë në Anadoll, Indi, Iran, Kinë apo Greqi... Të
gjitha urtësitë në esencë janë udhëtarë të së njëjtës rruge.

*            Ç'i ndodhi zemrës, zemrës sime*

*            U mbush me brenga e pikëllime*

*            U shkrumbua ky shpirt, shpirti im*

*            Që vetëm në flakë gjeti shërim*

Kjo është një nga pak vjershat, që na kanë mbetur prej Haxhi Bajram Veliut,
sepse mjeshtrit e asaj kohe nuk i kushtonin shumë rëndësi shkrimit. Për ta
ishte më e rëndësishme të fitonin zemrën e një njeriu se sa të shkruanin
një libër të madh. Megjithatë në disa vargje vjershe ata arrijnë të
shprehin një filozofi të tërë. Dhe në fakt nuk mund të mendohet ndryshe kur
shpirti i tyre kalonte në ekstazë dhe zemra u mbushej plot dashuri. Sepse
në fund të fundit ata ishin njerëz, që e kanë shpenzuar jetën e tyre për
diturinë. Ata e kanë njohur domethënien e fjalës dhe sipas saj janë
shprehur.

Siç e dini edhe ju, nëse një fjalë goje nuk merr ngrohtësinë e zemrës,
atëherë nuk ka ndikim tek askush. Ja pra, Haxhi Bajram Veliu ishte një
dijetar, që ngrohtësinë e zemrës së tij dinte ta përcillte nëpërmjet
fjalëve. A nuk shpjegohet kjo edhe në vjershat e tij? Një person, që thotë
se i është djegur shpirti, por dhe se shërimin e ka gjetur pikërisht në
këtë djegie, natyrisht që njerëzve të tjerë përreth vetes u përcjellë vetëm
ndjenjën e ngrohtësisë.