Mevlana Xhelaludin Rumi
Hamdi Nuhiju <[email protected]> Tue, 12 Feb 2013 21:04:48 +0100
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUFnp=JEOjdrNBOxpV9Po2WwLs5m44yXBeo5o5OJKvp=fhg@mail.gmail.com> |
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 06
Këtë javë do të njihemi me Mevlana Xhelaledin Rumiun, një nga njerëzit më
të jashtëzakonshëm dhe evliatë më të famshëm anadollas në botë.
http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=f6d84ca2-e219-456a-ab45-244fc97e115f
[image: Deti i diturisë së Anadollit 06]
Postuar më 11.02.2013 09:50:52 UTC
Përditësuar më 11.02.2013 09:50:52 UTC
Turkistani është një nga burimet më të mëdha të urtësisë, që
derdhen në Detin e diturisë së Anadollit. Drita e zjarrit, që kanë sjellë
nga ato vise njerëzit e zemrës dhe dijes, të cilët ndryshe njihen edhe si
“Ushtarët e Horasanit”, vazhdon ta ndriçojë edhe sot Anadollin.
Një nga “Ushtarët e Horasanit”, që u ra rruga nga Anadolli në
shekullin e 13-të, është edhe Bahadin Veledi. Ky dijetar i madh, që asokohe
njihej më tepër me epitetin “Sultan'ul-Ulema” e që në shqip përkthehet
“Mbreti i Dijetarëve”, krahas bagazhit të tij mjaft të madh të njohurive,
solli me vete në Anadoll edhe një dhuratë të rëndësishme. Dhurata e çmuar
në fjalë ishte i biri, Mevlana Xhelaledin Rumiu, i cili përmendej që në
moshë të re si “Oqeani i Dijeve”.
Periudha, në të cilën jetoi ai, ishte një epokë ku detet e
diturisë kishin ngrirë e ishin kthyer në akuj. Njohuritë rridhnin drejt
deteve në trajtën e lumenjve të mëdhenj teksa diçka sikur mbetej mangët.
Kjo gjë, mungesa e të cilës ndihej padyshim, ishte dashuria. Pa ndjenjë dhe
dashuri dituritë ishin krejt të ftohta dhe të ngurta.
Ja pra, Mevlana Xhelaledin Rumiu u bë një nga evliatë
anadollas, që shkrinë akujt e diturisë. Dhe ne këtë javë do të njihemi
pikërisht me këtë njeri të jashtëzakonshëm.
Mund të themi padyshim se në botë pothuajse të gjithë kanë
dëgjuar apo lexuar diçka për Rumiun. E cila na qenka ajo fjalë e re, që nuk
është përdorur më parë për të shprehur madhështinë e tij? Ai, mbi të
gjitha, është ngrohtësia e dashurisë. Dhe pavarësisht se i zotëronte të
gjitha shkencat e asaj kohe, Mevlana fliste me gjuhën e ndjenjave. *“Ne
jemi lindur nga dashuria... Dashuria është nëna jonë”*, thoshte ai. A nuk
dinte edhe Rumiu të shkruante disa libra akademikë e të mburrej me
njohuritë e tij?! Por jo, ai kishte zgjedhur oratorinë e ndjenjës, atë që
buronte nga zemra dhe shpirti. Në vend të largimit, izolimit nga jeta, ai
këshillonte pushtimin, përqafimin e saj me plot dashuri. Mevlana nuk u
ngjante aspak dijetarëve, që uleshin mënjanë gjithë përtaci. Ai shëtiste
brenda jetës sikur vallëzonte, madje rekomandonte që jetës dhe dashurisë
t'i jepej haku.
Një ditë, duke shëtitur në një nga çarshitë e Konjës, ai ndaloi
papritur përpara dyqanit të farkëtarit dhe nisi të dëgjojë me vëmendje të
madhe zërat, tingujt e tjerë, që vinin nga pazari. Sa i përsosur ishte
rendi ritmik dhe harmonia, me të cilën jeta vazhdonte?! Sa më fortë që
godiste çekani i farkëtarit, aq më thellë e ndjente në zemër Mevlana ritmin
e jetës. Dhe atje ku ndodhej, ai ia dorëzoi veten këtij ritmi. Filloi të
rrotullohej rreth vetes me dashuri. Ja pra, kjo ngjarje është edhe
pikënisja e valles hyjnore, të famshmes “sema”. Rumiu e kishte mbërthyer
jetën nga zemra.
Vallja rituale e dervishëve rrotullues, e shoqëruar me tingujt
e fyellit (nej), është mjet i të njohurit frymëzues, i cili e ringjall
shpirtin dhe tejkalon kohën aktuale duke paraqitur vdekjen para vdekjes
fizike. Ekstaza mistike e riaktualizon parakrijimin me flakjen e gjendjes
ëndërruese dhe botës së epsheve, në të cilën është i mbytur besimtari me
natyrën e vet trupore, përkatësisht ndodhet në gjendjen e shpërfilljes (*
gaflet*).
Ky dijetar, poet dhe filozof i shquar, që veprën e tij të
famshme “Masnavi” e emërtonte si “dyqani i bashkimit”, në atë çast arriti
“bashkimin”, sekretin e jetës. Dhe gjatë gjithë jetës pulsi i tij rrahu
gjithnjë me entuziazmin e këtij “bashkimi”. Ishte pikërisht kjo ndjenjë
“bashkimi” ajo, që i lidhte ngushtë ndjekësit e tij me të dhe vet atë me
gjithësinë.
Padyshim që numri i nxënësve, ndjekësve të tij ishte tepër i
madh. Rumiun e donin si sulltanët, ashtu edhe bujqit; atë e admironin qoftë
intelektualët e artistët, qoftë edhe të pashkollët. Parimet e tij frymëzuan
shumë dijetarë, rapsodë, poetë, muzikantë, piktorë dhe skulptorë.
Madhështia e Mevlanës nuk kuptohet vetëm nga veprat e tij, por edhe nga
masat që vazhdojnë ta ndjekin edhe qindra vite më vonë.
Rumiu, siç e dini edhe ju, njihet si poeti i dashurisë.
Dashuria hyjnore nënkupton dashurinë e dyanshme: Dashurinë e Perëndisë ndaj
njeriut dhe të njeriut ndaj Tij. Afërsia dhe gjithëprania e Zotit ndaj
robit dëshmohet në Kuran. Mevlana thotë: *“Dashuria është veti e Krijuesit,
prandaj s’ka mangësi – hija që hedh mbi tjetër gjë, nuk duhet marrë për
dashuri. Të tjerët bukurinë e kanë si të bukurën inxhi: Nga jashtë
shkëndija rrezaton, por brenda ka veç tym e hi”*.
Një dashuri e këtillë, e dyanshme, ndërmjet Perëndisë (*mashuk*)
dhe njeriut (*ashik*), ka një natyrë të përbashkët, ajo është dritë që
ndriçon gjithkund dhe gjithmonë, ajo paraqet dritën e sinqertë të
ekzistencës dhe të ftesës për ekzistencë në realitet. Dashuria e Perëndisë
ndaj njeriut në literaturën sufiste shprehet me simbolin e verës.
Mevlana ishte dijetar i lartë, që u shndërrua në poet, prej
poetit kaloi në shkallën e të sprovuarit, më pas u deh për mos t'u zhdehur
nga vera e kulluar e burimit të dashurisë, në fund ishte shpirt i ndritur,
i cili u tret në verën e dritës për të ndriçuar rrugëtimin e të
dashuruarve. Duke falënderuar fuqinë transfigurative të dashurisë, çdo
krijesë në vete mbart dëshirën e papërmbajtur, që të gjithë qenien e vet
ta shkrijë në burimin prej nga edhe ka zanafillën, kur i dashuri dhe i
dashuruari kanë qenë një. Gjendja parakrijuese ka qenë ideale në krahasim
me gjendjen e ekzistencës, të cilën njerëzit e kanë fituar me aktin e
krijimit. Larmia e formave të krijimit, perceptohet si vet zbulim hyjnor.
Nuk ka vend as për më të voglin dyshim se Mevlana Xhelaledin
Rumiu ishte një mysliman i devotshëm. Ai nuk ishte thjesht një humanist, si
mundohen ta paraqesin disa, që hiqen për të mençur. Por edhe koncepti i tij
fetar nuk shkonte kurrë deri në fanatizëm. Po, ai vërtetë bënte thirrje për
“sheriat”, por atë që shpjegonte, Mevlana e quante “sheriati i dashurisë”.
E drejta dhe rruga e ashikëve ishte Perëndia, përtej kësaj nuk kishte
asgjë. Sipas Rumiut, rrugët, që të çojnë te Krijuesi, janë të hapura për të
gjithë ata, që përpiqen mjaftueshëm. E vetmja gjë që duhet bërë është të
flaken tutje thesaret e kësaj bote për t'u pasuruar me dashurinë e Hyjit.
Ashtu siç ai theksonte gjithmonë, njeriu ka nevojë për dy gjëra: *“Dashuri
dhe dy sy të përlotur.”*
* “U mërzita nga këta shokë qullashë”. *thoshte ai. Dhe padyshim
ajo që Mevlana linte të kuptohej ishin personat, që përpiqeshin të bëheshin
dijetarë pa u lodhur aspak. Mirëpo vallë a mund të bëhesh dijetar vetëm
duke ngrënë, pirë dhe fjetur? Kjo është një punë mundi, përpjekjeje dhe
dashurie. Dashuria; pra një çështje besnikërie dhe vetësakrifikimi... Bota
nuk është as një vend statik! As jeta nuk është e tillë. Ka gjithnjë një
lëvizje, një krijim. Dhe Rumiu e dinte shumë mirë këtë gjë. Prandaj u vu në
kërkim të sekreteve të gjenezës dhe ato, që arriti t'i zbulojë, ua
transmetoi edhe njerëzve...
Mevlana u bë shërim për zemrat dhe melhem për hidhërimet.
Meqenëse e dinte shumë mirë prirjen e njeriut për ty zhytur në
gjumin e shpërfilljes, Rumiu ka përdorur gjithnjë një stil tronditës. Çdo
fjalë e tij është një shpatë *“plot perla ribashkimi”.* Një shpatë kjo që i
ringjallë njerëzit.
Ai i fton të gjithë *“të vdesin përpara vdekjes fizike”*. Ja
pra, në këtë thënie fshihet një nga inxhitë më rrezatuese dhe një nga temat
më të thella të Detit të diturisë së Anadollit. Sepse ai, që e vret në
zemrën e tij botën, e cila nuk është gjë tjetër veçse një fushë loje, do të
lejë në një jetë krejtësisht të re. *“Kjo botë është një zindan (burg),
thyeji prangat dhe çliroje veten”*, thotë Mevlana. Njeriu do të rizgjohet
dhe do të fitojë gjallërinë e vërtetë vetëm kur të ketë mposhtur nefsin,
pra botën e tij të brendshme. E thënë ndryshe, njeriu që fiton betejën me
botën e tij të brendshme, do të ketë një diell, që do të ndriçojë me risi
botën e vjetër.
Kjo thënie nuk është një fjalë boshe; prova e saj është vet
Mevlana.
Pas një jete relativisht të gjatë dhe jashtëzakonisht të
frytshme në fushën e edukimit të nxënësve të tij, e mbi të gjitha pas një
prodhimtarie të begatshme të veprave të shkruara në prozë dhe poezi,
Mevlana Xhelaledin Rumiu më datë 17 dhjetor 1273 kaloi në amshim, e cila në
tërë botën njihet si *Shebi Arus*-Nata e Martesës. Ai u varros në Konja dhe
varri i tij mban emrin Tyrbja Jeshile, ashtu si edhe xhamia pranë. E
megjithatë, saktësisht siç e kishte parashikuar ai vet, thëniet e tij nuk
mbetëm vetëm si fjalë. Ato u bënë çelësa, që hapin porta të panumërta në
Lindje, Perëndim, Veri dhe Jug. Hartat, paralelet dhe meridianët e humbasin
vlerën kur dëgjohet një fjalë e tij. Sot, si në Lindje të Mesme ashtu edhe
në Amerikën Veriore, brenda librave më të lexuar ka gjithnjë vepra të tij.
Madje disa vargje të tij kumbojnë edhe në veshët e atyre, që nuk e kanë
njohur fare Rumiun:
*“Eja, prapë eja, përsëri eja,
Si do që të jesh,
I pafe qofsh, zjarradhurues qofsh,
Njëqind herë në ke bërë pendim,
Njëqind herë në e ke prishur pendimin,
Kjo nuk është portë e pashpresës,
Si do që të jesh, ashtu eja!...”*