Dimensioni tejkohor dhe tejvendor i Sheriatit (II)
ajni sinani <[email protected]> Mon, 18 Feb 2013 09:05:21 -0800 (PST)
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
Dimensioni tej kohor dhe tej vendor i Sheriatit (II) Sheriati Ajni Sinani Sheriati është gjithëpërfshirës dhe nuk kufizohet vetëm në ibadet dhe në çështje juridike personale, siç janë martesa, shkurorëzimi, lirimi i robit, trashëgimia dhe të ngjashme, por ai përfshin, gjithashtu, të gjitha llojet e veprimeve dhe transaksionet në të vepruarit dhe të udhëhequrit. Shitblerja, patundshmëria, penglënia, qiradhënia, huazimi dhe të gjitha llojet e marrëdhënieve private – juridike dhe ekonomike, veprimet në relacionin individ –individ, individ – shoqëri , ose individ – shtet, të gjitha këto, Islami i rregullon juridikisht dhe të gjitha këto marrëdhënie duhet të mbështeten në Sheriat.[1] Në Islam, praktikisht, nuk ekziston lëmë që nuk është lëndë e ligjit; ligji islam paraqet rend që sundon në të gjitha sferat e jetës. Koncepti islam mund të interpretohet si arritje e paqes, duke iu dorëzuar vullnetit të Zotit dhe duke iu përmbajtur Ligjit të Shenjtë dhe udhëzimeve të tij. Në kontekstin islam, Ligji i Shenjtë, përfshin të gjitha ligjet që kanë për qëllim paqen universale dhe përparimin, ku paqja dhe përparimi janë parakusht esencial për mirëqenie materiale, morale dhe shpirtërore.[2] Dr. Hoking, profesor i filozofisë në Universitetin e Harvardit, në veprën e tij “Ruhus sijase el alemijeh ”, thotë: “Rruga e progresit të shteteve islame nuk qëndron në përvetësimin e modaliteteve që favorizojnë idenë se feja s’ka ç’thotë për jetën e përditshme të individit, për ligjin ose sistemet politike. Është e domosdoshme që njeriu të gjejë në fe burimin e progresit dhe të zhvillimit. Nganjëherë ndodh që të shtrohet pyetja se deri në ç’masë sistemi islam është në gjendje të sjellë ide të reja dhe të ofrojë zgjidhje origjinale, që do tu përgjigjeshin kërkesave të jetës bashkëkohore? Përgjigjja për pyetjen e parashtruar është: “Sistemi islam posedon të gjitha predispozitat e nevojshme për progres. Ndërkaq, sa i përket prirjes së tij për evoluim, në këtë aspekt Islami është gjithëpërfshirës dhe i mbizotëron të gjitha ligjet dhe sistemet. Prandaj, vështirësitë në ligjin islamik nuk lindin si rezultat i mosekzistimit të mënyrës ose metodës për zhvillim të vrullshëm dhe përsëritjes, por për shkak të mungesës së entuziazmit dhe predisponimit për t’i shfrytëzuar ato metoda. E ndiej se kam plotësisht të drejtë kur pohoj se ligji islam posedon tërësinë e duhur të parimeve, që janë të domosdoshme për transformim dhe zhvillim (të shoqërisë).” [3] Rregullat e ligjit penal paraqesin ligjin penal më të mirë që i është dedikuar njerëzimit. Pjesa më e madhe e ndëshkimeve janë sanksionuar nëpërmjet ajeteve kur’anore, dhe kështu janë vënë themelet e drejtësisë shoqërore. Sistemi i administrimit dhe të gjitha marrëdhëniet në relacionin shtet–individ janë të përcaktuara në Kur’an dhe Sunnet. Kjo arrihet nëpërmjet konstituimit të rregulloreve dhe nxjerrjes së kushtetutës nga ana e bashkësisë muslimane, e cila bazohet në Kur’an e në Sunnet dhe miratohet sipas parimit të institucionit të shurasë(konsultimit), që nënkupton nënshtrim të plotë ndaj Allahut, të Dërguarit të Tij dhe bartësve të pushtetit, me kusht që ata t’u binden urdhrave të Zotit dhe sunnetit të të Dërguarit. Zoti në Kur’anin fisnik thotë: “O besimtarë! Binduni ndaj Allahut, binduni ndaj të Dërguarit dhe përgjegjësve tuaj. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut (Librit të Tij) dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Ajo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (En Nisa, 59) Ebu Bekri r.a., udhëheqësi (halifi) i parë i shtetit menjëherë pas Muhammedit a.s., me rastin e marrjes së pushtetit tha thënien e njohur: “M’u bindni mua, për aq kohë sa unë i nënshtrohem Allahut. E nëse unë nuk i nënshtrohem Allahut dhe të Dërguarit të Tij, as ju mos m’u bindni mua.”[4] Kjo thënie e halifit të drejtë përputhet me hadithin e Muhammedit a.s. ku thuhet: “Nuk ka bindje ndaj njeriut, për atë që është mëkat ndaj Allahut”. Në Islam nuk pranohet lojalitet tjetër veç lojalitetit ndaj Zotit, Pejgamberit të tij, prindërve dhe bashkësisë që ka për qëllim konstituimin e mëshirës së Zotit në Tokë. Veçoritë e së drejtës islame E drejta islame i ka udhëhequr popujt muslimanë gjatë gjithë kohës që nga shpallja e Islamit. Dijetarët muslimanë, duke u bazuar në burimet dhe parimet e saj, nën frymën e saj kanë ofruar zgjidhje përkatëse. Sepse është e pamundshme që, tekstet dhe parimet e Sheriatit, që është universal dhe i amshueshëm, të jenë të pamjaftueshme apo të kufizuar për të ofruar dispozita për çfarëdo sjelljeje ose veprim.[5] E drejta islame, me të gjitha dispozitat e saj, zbatohet qysh prej 14 shekujsh dhe këtë nuk e ka arritur asnjë legjislacion në botë. Legjislacioni perëndimor ka një moshë, përafërsisht, dyqindvjeçare. Horizonti i ligjit islam nuk është i ngushtë që të mos gjejë dot zgjidhje për të gjitha çështjet dhe problemet që paraqiten në kohëra të ndryshme. Legjislatura islame, përmes dispozitave të saj, individin nuk e sheh jashtë familjes, as familjen jashtë shoqërisë dhe as shoqërinë jashtë shoqërisë mbarënjerëzore. Ligji islam, kundruall ligjit evropian – duke përjashtuar të drejtën kishtare – që nga fillimi për faktin se: “Sheriati e konsideron veten si ligj të shpallur në kuptimin më të ngushtë të fjalës, gjegjësisht ligj autentik hyjnor.”[6] Sheriati dhe fikhu E drejta islame filloi si një ligj i një shteti, një bashkësie sunduese që nuk mbetej pa iu përgjigjur nevojave të shoqërisë, derisa arriti të sundonte prej Atlantikut gjer në Paqësor. Kjo e drejtë posedon mundësi të zhvillimit dhe u përshtatet nevojave të të gjitha kohërave dhe vendeve. Ajo nuk e ka humbur dinamikën e vet as sot dhe kthimi, gjithnjë e më tepër, merret si ndërrim nga e mira për shtetet muslimane, të cilat deri para ca kohe ishin nën dominimin politik dhe juridik të shteteve të huaja.[7] Në shumë pjesë të botës islame, Ligji Hyjnor (Sheriati), për një kohë të gjatë, nuk është duke u aplikuar në tërësi në rrafshin ligjor, por etika, që është në brendi të mësimeve të tij, e përshkon gjithnjë shoqërinë islame. Sheriati përcakton Etosin (Ehos) religjioz të Islamit në rrafshin personal dhe shoqëror dhe është i pandashëm nga jeta e fesë.[8] Sheriatinuk është vetëm ligj pozitiv konkret, por është edhe tërësi e vlerave dhe kornizë për jetën religjioze të muslimanëve.[9] Sheriati është kodi islam që përmban një tërësi normash dhe rregullash që e udhëheqin jetën në interes të saj.”[10] Sheriatinë kuptimin leksikologjik është rruga e drejtë apo burimi i ujit që synohet për të pirë. Sikurse që s’mund të ketë jetë pa ujë, po ashtu nuk mund të ketë as jetë në aspektin shpirtëror pa sheriat. Sheriati është përshkruar si “shteg” shpëtimi i skicuar qartë, i cili duhet pasuar, apo si e drejtë speciale islame (fikh: -fjalë për fjalë do të thotë, ‘të kuptuarit’, ‘futje’, ‘njohje’). [11] Sheriati është rruga që Allahu i Gjithëdijshëm e ka caktuar për të gjithë ata që pranojnë ta pasojnë atë, me qëllim që të arrihet suksesi edhe në këtë jetë, edhe në jetën tjetër, të pasosur. Sheriati, duke qenë një Ligj Hyjnor, nuk varet nga deduktimet apo përfundimet studiuese të një natyre subjektive, por është i formuar në tërësinë e tij, në urdhëresat e qarta të Kur’anit dhe sunnnetit.[12] Sheriati në thel është feja e shpallur në nususet/tekstet e Kur’anit dhe të sunnetit. Kurse fikhu është kuptimi i atyre nususeve. Fikhu që përmban mendimet dhe interpretimet e fukahave mund të ofrojë zgjidhje për një vend dhe një kohë të caktuar dhe të mos ofrojë për kohë dhe vende të ndryshme. Ndërkaq, Sheriati ofron zgjidhje gjithëpërfshirëse për vende dhe kohë të ndryshme. Librat e shkencës juridike (fikh)përmbajnë ligje të veçanta të Sheriatit, por vetë Sheriati përfshin mësimet etike dhe shpirtërore, të cilat, thënë rigorozisht, nuk janë të karakterit juridik, ndonëse e Drejta islame nuk është ndarë asnjëherë nga morali.[13] E drejta islame, në çdo vepër njerëzore, shikon kualitetin etik(husën dhe kubh).Ky kualitet etik nuk mund të njihet përmes mendjes njerëzore. Ai varet plotësisht nga Shpallja, sikurse predikojnë shkollat autoritative të mendimit islam. Ndërkaq, në fushën e çështjeve indiferente juridike, hapësirë i është lënë normimit njerëzor përmes ixhtihadit.[14] Islami, pra, nuk bënë ndarjen e së drejtës nga morali. E Drejta islame përpiqet që, në marrëdhëniet e kësaj bote, të vendosë parimin e drejtësisë. Fakti se teologjia dhe jurisprudenca janë të harmonizuara, do të thotë që: Islami si besim dhe civilizim, fe dhe kulturë, nuk mund të kuptohet pa të kuptuarit e së drejtës islame. [15] Për një numër shumë të madh muslimanësh, zbatimi i dispozitave të Sheriatit paraqet mënyrën e zbatimit të tyre për t’iu nënshtruar Vullnetit të Zotit, mënyrën e jetesës virtuoze dhe jetës korrekte, e cila shpie drejt lumturisë në këtë botë dhe shpëtimit në Botën tjetër. Madje edhe ata që nuk e praktikojnë Sheriatin, etikën e tyre, -të kuptuarit e asaj që është e mirë dhe që është e keqe, dhe daljen e tyre nga kaosi i kësaj bote, e nxjerrin nga Sheriati.[16] Qëllimet e Sheriatit Në thelb Sheriati ka për qëllim që t’ua lehtësojë njerëzve vështirësitë dhe t’u sigurojë zgjidhje për të gjitha problemet e tyre. Sheriati e inkurajon individin dhe shoqërinë që të jenë të devotshëm dhe afër Allahut. Shoqëria duhet të jetojë në harmoni dhe siguri, me ndjenjën e bashkimit dhe besimit, ku të gjithë ndihmohen mes vete, e përqafojnë atë që është e mirë dhe e eliminojnë atë që është e ligë dhe me të cilën All-llahu nuk është i kënaqur. Qëllimet e sheriatitjanë: 1.Mbrojtja e fesë,- qëllimi i parë dhe kryesor i Sheriatit është mbrojtja e fesë, sepse ajo është thelbi dhe shpirti i jetës. 2.Mbrojtja e jetës, - Sheriati, gjithashtu, mbron edhe jetën. Askujt nuk i lejohet t’u bëjë keq, ose t’u shkaktojë dëm njerëzve. 3.Mbrojtja e mendjes, - Sheriati e mbron mendjen (intelektin). Muslimani gjatë gjithë kohës duhet të jetë inteligjent (me mendje të shëndoshë) dhe nuk duhet të konsumojë alkool ose drogë. 4.Mbrojtja e pasurisë, - Sheriati mbron pasurinë. Është e natyrshme që njeriu të ketë ndjenjën e sigurisë nën mbrojtjen e Sheriatit, të ndiejë se edhe produktet e punës së tij janë të ruajtura dhe se nuk janë objekt i vjedhjes ose i dëmtimit. 5.Ruajtja e prejardhjes, - Sheriati kujdeset që të ruhet prejardhja (zanafilla). Pasardhësit janë të mbrojtur dhe për këtë lidhjet paramartesore dhe lidhjet jashtëmartesore janë të ndaluara dhe të dënueshme. Sheriati ndalon jo vetëm kurvërinë (shthurjen morale) dhe shkeljen e kurorës, por edhe çdo gjë që shpie drejt tyre. Në sistemet shekullare ligji dhe etika nuk janë të lidhura domosdoshmërisht.Ndërkaq, etika dhe Sheriati janë të lidhura me një lidhje direkte: ligji i Sheriatit përpiqet që të sendërtojë dhe të nxisë standarde etike brenda shoqërisë. Madje, Sheriati nuk mund të zbatohet plotësisht nëse nuk ka sinqeritet dhe nëse nuk pranohet si rrugë e vërtetë dhe e vetme, që duhet ta çojë shoqërinë drejt instruksioneve të Krijuesit të të gjitha qenieve. Sheriati nuk është teokraci Teokracia është plotësisht joislame dhe vetëm Kur’ani i shenjtë dhe Sunneti e përcakton aspektin juridik të Islamit dhe e pasqyron kuptimin e tij të vërtetë. Duke përjashtuar çdo autoritet jashtë këtyre të dyjave, përmbajtja dhe praktikimi i së Drejtës islame lirohet nga trashëgimia e shtresuar e ndikimeve të ndryshme njerëzore. Nëse muslimanët harrojnë se aktet politike janë domen i të vdekshmit, se Zoti toleron pushtetin por nuk e shenjtëron, se Islami nuk njeh kler, – atëherë Islami mund të jetë teokraci, despotizëm dhe ankth i vërtetë totalitar.[17] Prandaj, zbatimi i së Drejtës islame nuk duhet të ngatërrohet me kurrfarë koncepti perëndimor të teokracisë, sipas të cilit sundimtari është trashëgimtar i Zotit dhe pushtetin e tij nuk e kufizon asgjë.[18] Ndërkaq, Kur’ani për të gjithë muslimanët është ligj i Zotit, prandaj që të gjithë ata, e edhe udhëheqësit e tyre, u janë nënshtruar këtyre ligjeve, që prej ditës së parë. Duhet pranuar, se gjatë historisë ka pasur regjime autokratike, sikurse ka edhe sot në Botën Islame, por autokracia e pushtetit, sipas Kur’anit, ka qenë dhe është shkelje e këtyre ligjeve! Prandaj, nuk është dashur që të shtypurit, duke u thirrur në Zot, sikurse vepruan perëndimorët, që të shpikin fillimisht të drejtat e njeriut, e pastaj t’i fitojnë nga sunduesit. Muslimanëve u është dashur vetëm t’u kthehen fundamenteve të Islamit dhe, duke u frymëzuar prej tyre, të flaknin tutje regjimet totalitare, sikurse po ndodh sot me të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”. Islami nuk është fe idealiste apo vetëm adhurim (ibadet), gjegjësisht ai ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet në relacionin njeri – Krijues dhe kështu të mos lidhet aspak me rregullimin dhe organizimin e shoqërisë dhe të shtetit. Islami është besim, adhurim, jetë dhe ligj, projekt i jetës në tërësi, me fjalë të tjera është plan dhe program i tërësishëm i jetës, sepse ka vendosur parime dhe rregulla, ka themeluar jurisprudencën, e cila ka të bëjë me jetën e njeriut si individ, me jetën e tij në familje, me pozitën dhe rolin e shoqërisë, me bazat e shtetit dhe me marrëdhëniet ndërkombëtare.[19] Jam plotësisht kundër pretendimit të dr. Bassam Tibit, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, në Universitetin e Gëtingenit në Gjermani, i cili thotë se Deklarata Islame për të drejtat e njeriut e vitit 1981, ka për qëllim krijimin e të drejtave specifike islame të njeriut dhe kështu, në mënyrë implicite, të ndajë qytetërimin islam nga pjesa tjetër e njerëzimit.[20] Ndaj mendim të njëjtë me dijetarin e madh pakistanez, Mevlana Mevdudin, i cili thotë: Besimi ynë islam gjithnjë e më tepër freskohet dhe forcohet, kur shohim se madje edhe në këtë kohë moderne – e cila bën aq shumë zhurmë me pohimet e saj për progres dhe lumturi – bota akoma nuk është në gjendje, dhe as që do të jetë ndonjëherë në gjendje, që të përpilojë ligje më të drejta dhe më të paanshme se ato që janë dhënë nga Islami, para 1400 (e më shumë) vjetësh. [21] Mesazhi i Islamit ka konceptuar dhe sendërtuar në praktikë qytetërimin, në të cilin nuk ka pasur vend për kurrfarë nacionalizmi, për kurrfarë interesash të veçanta, kurrfarë ndarje klasash, kurrfarë kishe, kurrfarë priftërie, kurrfarë aristokracie, në realitet, kurrfarë funksionesh trashëguese përgjithësisht. Qëllimi ka qenë konstituimi i teokracisë në raport me Zotin dhe demokracisë ndërmjet njeriut dhe njeriut. Cilësia më e rëndësishme e këtij qytetërimi të ri – cilësi që e dallon nga të gjitha lëvizjet tjera në historinë njerëzore – ka qenë fakti se ai është konceptuar me anë të pranimit vullnetar të njerëzve të interesuar. [22] ________________________________ [1]Muhammed Kutub, Sa jemi Muslimanë, Furkan ISM, Shkup, 1420/1999, f. 23-24. [2]Ekmeleddin Ihsanoglu, Zapad i Islam, Sarajevë, El Bejan, 2001, shih artikullin Islam i Mir, f. 59- 62. [3]Cituar sipasDr. Jusuf el Kardavi, Islamsko pravo, Sarajevë, 1989, f. 85. [4]Hasan Ejub, Katër Halifët e Drejtë, Shkup, 1424/2003, f. 31. [5]Dr. Jusuf el Kardavi, Islamsko pravo, op. cit., f. 15. [6]Dr. Murad Hofmann, Islami si Alternativë, Shkup, 1421/2000, f. 151-152. [7]Dr. Muhammed Hamidullah, Hyrje në Islam, op. cit., f. 152. [8]Sejid Husein Nasr, Srce islama, El kalem, Sarajevë, 1423/2002, f. 202. [9]Zhvillimi i ‘së drejtës islame’, paraqet një ndërmarrje ‘ndërkombëtare’, pasi që juristët muslimanë vijnë nga popuj të ndryshëm, flasin gjuhë të ndryshme dhe njohin tradita të ndryshme. Ka muslimanë evropianë nga Spanja, Portugalia, Sicilia, Kina, Abisinia, India, Persia, Turqia dhe shumë të tjerë përveç arabëve. Shih dr. Muhammed Hamidullah, Hyrje në Islam, op. cit., f. 152. [10]Ahmed Hurshid, Familja dhe Islami, Tiranë, 1999, f. 11. [11]Dr. Murad Hofmann, Islami si Alternativë, op. cit., f. 151-152. [12]Muhammed Asad, Parimet e shtetit dhe qeverisjes në Islam, Zëri Ynë, Prishtinë, 2011, f. 28. [13]Sejid Husein Nasr, Srce islama, op. cit., f. 201. [14]Fikret Karçiç,Historia e së drejtës së Sheriatit,op. cit., f. 11-12. [15]Dr. Murad Hofmann, Islami si Alternativë, op. cit., f. 152. [16]Sejid Husein Nasr, Srce islama, op. cit., f. 202. [17]Parvez Manzoor, The Muslim Book review, 1990, nr. 4, f. 12, cituar nga Murad Hofmann, Islami si Alternativë, op. cit., f. 125. [18]Ebul Ala El Mevdudi, Të drejtat e njeriut në Islam, op. cit., f. 9-10. [19]Dr. Jusuf El Kardavi, Islami dhe Politika, Kaçanik, 2002, f. 16. [20]Ekmeleddin Ihsanoglu (dhe një grup ligjëruesish ), Zapad i Islam Ka Dijalogu, shih artikullin e dr. Bassam Tibit, Ljudska Prava u Islamskoj Civilizaciji i na Zapadu, op. cit., f. 63- 76 [21]Ebul Ala el Mevdudi, Të Drejtat e Njeriut në Islam, op. cit., f. 58. [22]Muhammed Asad, Rruga për në Mekë, Prishtinë, 2003, f. 406.