Luftërat arabo-izraelite

ajni sinani <[email protected]> Mon, 25 Feb 2013 08:25:53 -0800 (PST)
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
Luftërat
arabo-izraelite
Ajni Sinani
1 – Agresioni i Izraelit dhe intervenimi anglo-francez (29 tetor1956)
Kanali i Suezit kishte rëndësi të jashtëzakonshme
politike dhe ekonomike për Egjiptin. Në vitin 1956 është bërë nacionalizimi i
Kompanisë së Kanalit të Suezit. Shteti egjiptian ka marrë të gjitha fondet, të
drejtat dhe detyrimet e kompanisë dhe administrimin dhe operimin (funksionimin)
e kanalit.[1] Nga aspekti politik, nacionalizimi i tij do të thoshte largim i bazave të huaja
sunduese. Prandaj, dominimi i Kanalit nga ana e Egjiptit në mënyrë të
njëanshme, e vendoste Britaninë dhe vendet Perëndimore nën mundësinë e
ndërprerjes së furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme.[2]  
  Kjo gjë sipas
Britanisë paraqiste një kërcënim të rrezikshëm për të gjitha rrugët lidhëse mes
Evropës dhe Azisë. Edhe për Francën, Kanali i Suezit nënkuptonte rrugët detare
për transportimin e naftës. Për SHBA, Kanali i Suezit kishte rëndësi të veçantë
sepse ai përfaqësonte hallkën lidhëse kryesore mes kontinenteve të Evropës,
Azisë dhe Afrikës për sigurinë e paktit të NATO-s, si dhe për mirëqenien
ekonomike për vendet Perëndimore. 
Mirëpo për interesat amerikane, Kanali i Suezit nuk
paraqiste, sikurse shprehet ministri i jashtëm amerikan John Foster Dulles më
datë 28 gusht të vitit 1956, të njëjtin rrezik ashtu sikurse për vendet
Perëndimore. Edhe për Bashkimin Sovjetik, Kanali i Suezit paraqiste një pikë të
rëndësishme lidhëse për sistemin e tregtisë botërore, në mënyrë të veçantë për
shtetet e Evropës dhe të Lindje së Mesme, si dhe për shtetet e juglindjes së
Azisë, prandaj ata insistuan që lundrimi nëpër Kanalin e Suezit të zhvillohej
në mënyrë të lirë dhe pa kurrfarë pengesash.[3] Pas vendimit të marrë nga Naseri, sipas planit të gatuar nga Franca, Izraeli do
të sulmonte Egjiptin dhe do të avanconte drejt Kanalit të Suezit, ndërsa
Britania e Madhe dhe Franca, në emër të lirisë së lundrimit, do të kërkonin që Egjipti
dhe Izraeli të tërhiqeshin në një distancë prej dhjetë miljesh nga Kanali. Në
rast se Egjipti do të refuzonte, gjë që pritej plotësisht, Britania e Madhe dhe
Franca do ta pushtonin zonën e Kanalit.[4]
Anthoni Eden, kryeministri britanik dhe udhëheqësi i
partisë konservatore, Guy Molleta, udhëheqësi i partisë socialiste franceze dhe
Ben Gurion, kryeministri i Izraelit, kishin rënë në ujdi për zbatimin e planit
për të cilin ishin marrë vesh në një takim të fshehtë të tyre, në Sevres të
Francës. Doktor Mahmud Fevzi, ministri i punëve të jashtme të Egjiptit, ishte
marrë vesh me kolegët e tij britanikë dhe francezë që të takohej më 29 tetor
1956, me qëllim që të gjenin zgjidhje paqësore. Por atë ditë, kur u mor vesh se
OKB do të tentonte të gjente zgjidhe paqësore, Izraeli e sulmoi Sinain.[5] 
Naseri e kuptoi fillimin e tradhtisë, sepse Britania dhe
Franca sulmuan befas. Ai dha urdhër që forcat egjiptiane të tërhiqeshin nga
Sinai, në mënyrë që të mos binin në grackë, sepse izraelitët sulmonin pjesën e
përparme, kurse britanikët dhe francezët pjesën e pasme.. Më 30 tetor britanikët dhe francezët i
dhanë një ultimatum Egjiptit, që duhej të përmbushej brenda 12 orëve, dhe
kërkuan që pala egjiptiane dhe izraelite të tërhiqeshin nga Kanali, të cilin
trupat izraelite ende nuk e kishin pushtuar. Naseri e hodhi poshtë ultimatumin.
Më 31 dhjetor Britania e Madhe dhe Franca njoftuan se do të ndërhynin nga toka.
Naseri e ftoi ambasadorin amerikan Z. Raymond Herrin për t’i kumtuar kërkesën e
tij për presidentin Ajzenhauer: “Ju lutem a do t’i nxisni aleatët tuaj –
Britaninë dhe Francën, në mënyrë që ne ta zgjidhim konfliktin vetëm për vetëm
me Izraelin?” Ajzenhaueri iu përgjigj se do të bënte çdo gjë që mundej.[6] Shtetet e Bashkuara, 24 orë mbas sulmit fillestar të Izraelit, i paraqitën një
rezolutë të ashpër Këshillit të Sigurimit, më 30 tetor ku kërkonin që forcat e
armatosura të Izraelit “të tërhiqeshin menjëherë... përtej vijave të
përcaktuara të armëpushimit”. Kur Britania e Madhe dhe Franca hynë në konflikt
më (31 dhjetor), Ajzenhaueri iu kthye atyre në një mesazh televiziv po atë
ditë: “Ne nuk e pranojmë përdorimin e forcës, si një mjet të arsyeshëm e të
përshtatshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare”. 
Më 2 nëntor Asambleja e Përgjithshme, me një shumicë dërmuese
prej 64 votash me 5 vota kundër, kërkoi t’u jepeshin fund luftimeve. Pas
mesnatës së 3-4 nëntorit, Asambleja e Përgjithshme kaloi gjatë një seance një
rezolutë edhe më të ashpër dhe filloi të diskutonte për një forcë paqeruajtëse
të Kombeve të Bashkuara për Kanalin, që do të ishte një lëvizje formale për të
lehtësuar tërheqjen e forcave britanike e franceze. Nën presionin e Amerikës
dhe BRSS,  Franca dhe Britania u detyruan
që të tërhiqen. Të njëjtën gjë bëri edhe Izraeli. Kjo gjë, sipas analistit të njohur
arab Muhammed Hejkel, tregon se SHBA kishte ndikim të fuqishëm tek Izraeli,
meqë ajo e përkrahte atë me pasuri dhe armatim. Prandaj edhe sot Amerika sipas
tij, mund ta detyroj Izraelin që të tërhiqet nga territoret e pushtuara arabe
në vitin 1967.[7]
Sadati shkruante se, edhe pse ishte Ajzenhauer që e
kishte shpëtuar situatën, Naseri, për shkak të bindjeve të tij ideologjike,
mossuksesin e Francës, Britanisë dhe Izraelit ia përshkroi “paralajmërimit rus”
dhe lavdëroi rolin e Bashkimit Sovjetik, duke i mohuar plotësisht përpjekjet e
Ajzenhauerit dhe urdhrin e tij drejtuar direkt Britanisë dhe Francës që të
tërhiqeshin prej Egjiptit. Ishte ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara që e
shndërroi disfatën e Egjiptit në fitore.[8] Më 5 nëntor u krijua forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara. Po atë ditë,
Britania e Madhe dhe Franca njoftuan se trupat e tyre do të tërhiqeshin
menjëherë, sa të mbërrinin në vend forcat e Kombeve të Bashkuara. Britania e
Madhe dhe Franca u ndien të poshtëruara nga Amerika.[9] 
Sipas Brzezinskit, për dekada me radhë, që
nga aventura e dështuar francezo-britanike e Suezit më 1956, zona që nga Suezi
deri në Gjirin Persik, në fakt, është një protektorat amerikan. Në mënyrë
graduale, protektori kaloi nga parapëlqimi pro-arab në pro-izraelit dhe
eliminoi me sukses çfarëdo ndikimi politik të rëndësishëm evropian dhe më vonë
edhe sovjetik në rajon. Fitoret bindëse ushtarake në fushatat e vitit 1991 dhe
2003 kundër Irakut e vendosën bindshëm Amerikën si arbitrin e vetëm të jashtëm
në rajon.[10] 
Dështimi i sulmit dhe ndërprerja e luftimeve bëri që SHBA
të trashëgonte pozitat strategjike që la Britania e Madhe, prandaj edhe
zemërimi i arabëve, në të ardhmen, do të drejtohej kundër Amerikës. Ky sulm dhe
fitoret e njëpasnjëshme izraelite kishin ndikuar që izraelitët ta ekzagjeronin
fuqinë e tyre ushtarake duke pretenduar se janë më superiorë ndaj arabëve. Kjo
do të bënte që çdo luftë që do të pasonte të ishte më e madhe dhe më e ashpër
se sa lufta e mëparshme. Izraelitët, të bindur në superioritetin e tyre ushtarak,
zhvilluan edhe luftën e vitit 1967.[11]  
2 - Themelimi i lëvizjes Fatah
Fatah (Lëvizja Nacional
Çlirimtare palestineze), është krijuar në vitin 1957-58 dhe është udhëhequr nga
Jaser Arafati.[12]     
Ajo konsiderohet një lëvizje socialiste
nacionale që ka filluar të  afirmohet
sidomos më 1 janar të vitit 1965, ditën kur shpërtheu “revolucioni palestinez”.
Jaser Arafati ka qenë udhëheqës i saj deri në vdekjen e tij më 2004. Ajo
mbështetët në parimin se Palestina është tokë e të gjithë palestinezeve, se
është tokë arabe dhe se të gjithë arabët duhet të marrin pjesë në çlirimin e
saj.[13] Fatah përshkruhet si një organizatë politike, me krahun e
saj ushtarak El-Asife (Stuhija). Emri i saj: “Fatah”
filloi të përmendet pas luftës së qershorit 1967. Me dështimin e unionit mes
Sirisë dhe Egjiptit (1958-1961), Jaser Arafati e kuptoi se pritja e
palestinezëve për formimin e një unioni arab nuk çonte veçse në humbje kohe. 
 Rezistenca, që nga formimi i saj, u ballafaqua
me probleme të shumta që ndikuan në veprimtarinë e saj si pasojë e faktit se
brenda saj u shfaqën organizata të shumta që patën emra dhe qëllime të
ndryshme, të cilat shpeshherë ishin lojale ndaj qeverive që përkrahnin. [14] 
            El Fatah, organizata më e fuqishme brenda OÇP, proklamoi
se qëllimet e saj ishin: lufta për krijimin e shtetit të Palestinës ku çdo
individ dhe çdo grup do të gëzonte të drejta dhe obligime të njëjta, pa
kurrfarë diskriminimi. Fatah nuk do të përzihej në politikën e brendshme të
shteteve arabe. Njëkohësisht, ai nuk pranonte kurrfarë ndërhyrjeje në lidhje me
qëndrimet e tij dhe e konsideronte pavarësinë si kushtin bazë për sukses. Në
atë kohë, brenda Fatah-ut ishin futur personalitete me bindje të ndryshme,
qëllimi i vetëm i të cilëve ishte formimi i Palestinës. Si organizata më reprezentative,
Fatah u shndërrua në shtyllën bazë të lëvizjes.[15] Ai ka udhëhequr bisedimet e paqes në Oslo dhe Uashington. Prej saj ka dalë
Autoriteti Palestinez.
            
3 -Themelimi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës
(1964)
Operacionet e ndërrimit të rrjedhës së lumit
Jordan në vitin 1963 dhe paaftësia e shteteve arabe për të zbatuar në praktikë
rezolutën e Samitit të Parë Arab në vitin 1964 ndikuan në marrjen e vendimit,
në Samitin e Dytë në fund të vitit 1964, për themelimin e OÇP-së dhe të
Ushtrisë Çlirimtare palestineze, me qëllim që gjërat të ktheheshin në duart e
palestinezëve. Qëllimi primar i këtij vendimi ishte që të fshihej paaftësia e
vendeve arabe përballë kërcënimeve izraelite nëkonfliktin e
tyre rreth ndërrimit të rrjedhës së lumit Jordan.[16] 
OÇP-ja (Munadhamat Et-Tahrir El-Filastinijeh) u themelua nga Liga Arabe më 28 maj në vitin 1964 me
propozimin e presidentit të Egjiptit Naser-it (Xhemal Abd En-Naser). Nën
flamurin e saj ajo ka përfshirë një numër lëvizjesh dhe partish palestineze.
Kryetari i saj është konsideruar si kryetarë i Palestinës dhe popullit
palestinez. Kryetari i saj i parë ka qenë Ahmed El Kushejri (1964-1967). Synimi
i OÇP-së ishte shkatërrimi i shtetit të Izraelit nëpërmjet luftës së
armatosur.  Fillimisht OÇP-ja u
kontrollua në pjesën më të madhe nga qeveria egjiptiane. Kushtetuta fillestare
e OÇP-së theksonte asgjësimin e Izraelit si edhe të drejtën e kthimit dhe të
vetëvendosjes për arabët palestinezë.[17] Nën udhëheqjen e
lëvizjes Fatah, organizatat komando në vitin 1968 arritën të kishin në dorë
udhëheqjen e OÇP-së dhe bënë thirrje për luftë të armatosur.
 
- Strategjia e
OÇP- së
Qëllimet politike të
kryengritjes palestineze që ishin proklamuar në emrin e forcave El Asife
(Stuhia) ishin: 
1. Çlirimi i Palestinës
nga pushtimi izraelit dhe formimi i shtetit palestinez që do t’i përfshinte të
gjitha fetë; 
2. Fuqia e armës ishte
rruga e vetme për realizimin e qëllimit; 
3. Nisja e luftës
çlirimtare popullore në bazë të një strategjie afatgjatë; 
4. Mbështetja në elementet
palestineze brenda tokës së pushtuar dhe jashtë saj; dhe 
5. Marrja e kryengritjes
algjeriane si shembull për çlirim. 
Sipas këtyre pikave,
qëllimi i kësaj kryengritjeje palestineze ishte formimi i shtetit të Palestinës
në tokën e Palestinës duke përfshirë edhe pjesët e rrëmbyera në vitin 1948.
Lufta popullore çlirimtare dhe forcat e armatosura do të ishin mjet për
realizimin dhe arritjen e këtij qëllimi.[18] 
Mbreti Husein i Jordanisë kishte frikën se mos krijimi i
OÇP-së nënkuptonte një “entitet palestinez”.
Bregu Perëndimor ishte tokë e Palestinës, që gjyshi i tij Emiri Abdullah e
kishte aneksuar në vitin 1948 pas luftës së parë arabo-izraelite. Prandaj fjala
“entitet” nuk u përdor në kushtetutën e OÇP-së, po në vend të saj u përdor
termi “çlirimi i Palestinës”. 
Nga viti 1967-1969 kryetari i saj ka qenë Jahja Hammuda. Në
mbledhjen e Këshillit Kombëtar Palestinez,  në vitin 1969 Jaser Arafati u zgjodh kryetar i komitetit ekzekutiv të
këtij këshilli (1969-2004). Që atëherë, OÇP- ja tërhoqi në drejtim të saj shumë
organizata të fedainëve, udhëheqësit e të cilave u emëruan nga Komiteti
Ekzekutiv dhe strategjia e OÇP- së u bë ajo e “luftës së armatosur”.[19] Parashikohej se OÇP-ja do të luante një rol të rëndësishëm për çlirimin e
Palestinës, por qeveritë arabe dhe sidomos presidenti Naser donte që organizata
ta drejtonte popullin palestinez sa më larg përdorimit të pavarur të mjeteve të
dhunshme. Ekzistonte frika se mos veprimtaria guerile e palestinezëve
kundër  Izraelit, që filloi të shfaqej në
fund të viteve 1950, mund të bëhej shkas për kundërpërgjigje nga ana e Izraelit
kundër vendeve arabe dhe mund t’i tërhiqte ato në një luftë. 
Ideologjia e OÇP-së ishte shekullare, ngase shumë nga
udhëheqësit e saj palestinezë ishin të krishterë. Konflikti u lejua të acarohet
dhe kështu, në të dy anët, konflikti u bë i shenjtë, prandaj edhe shumë më i
vështirë për t’u zgjidhur.[20] OÇP, si lëvizje rezistuese e formuar nga disa grupe të bashkuara, e forcoi
aktivitetin e vet veçmas në periudhën nga vitet 1970 deri në 1980, kohë gjatë
së cilës ajo luajti rolin kryesor në luftën e popullit palestinez.[21] 
 
 

________________________________
 
[1]Zejnullah, Gruda, op. cit., f. 189.
[2]Më 26
korrik 1956, Naseri mbajti një fjalim të tij në Aleksandri ku deklaroi se
kompania e kanalit të Suezit ishte nacionalizuar si hakmarrje ndaj ministrit të
punëve të jashtme të SHBA, John Foster Dulles, për shkak të tërheqjes së tyre
për financimin e digës së madhe. Vendimi për nacionalizimin pati pasoja të
mëdha brenda dhe jashtë Egjiptit. Gati pas një shekulli të tërë pushtimi dhe
shtypjeje nga kolonialistët britanikë, populli i Egjiptit e mirëpriti një
vendim të tillë me një entuziazëm të paparë dhe Naseri u prit si një hero i
vërtetë nga populli. Shih: Anvar El- Sadat, op. cit., f. 129.
[3]Dr.
Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu op. cit., f. 95-96.
[4]Henry
Kissinger, Diplomacia, op. cit., f. 540.
[5]Anvar
El- Sadat, op. cit., f. 127.
[6]Anvar
El- Sadat, op. cit., f. 129-130.
[7]Dr.
Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 109.
[8]Në
kulmin e luftimeve mes 29 tetorit dhe 2 nëntorit, kryetari i Sirisë Shukri El
Kuvatli ndodhej për vizitë zyrtare në Bashkimin Sovjetik. Ai kishte biseduar me
udhëheqësit sovjetikë për luftën në Kanalin e Suezit dhe i kishte lutur ata që
ta ndihmonin Egjiptin. Por ata e kishin refuzuar një gjë të tillë në mënyrë të
hapur. Më 5 nëntor, Ajzenhauer intervenoi dhe i kërkoi Britanisë dhe Francës që
të tërhiqen menjëherë. Bashkimi Sovjetik kur e kuptoi se Britania dhe Franca iu
përgjigjën kërkesës së presidentit amerikan, i drejtoi një paralajmërim
Britanisë dhe Francës, që njihet si ultimatumi i Hrushov- Bulganijn,. Kjo nuk
ishte gjë tjetër veçse një tentativë e Bashkimit Sovjetik që të linte
përshtypjen se ishte Bashkimi Sovjetik ai që e kishte shpëtuar situatën.
Shih:  Anvar El- Sadat, op. cit., f.
129-130.
[9]Henry
Kissinger, Diplomacia, op. cit., f. 541- 42.
[10]Zbigniew Brzezinski, Zgjedhja dominim global apo udhëheqje globale, op. cit.,
f. 87.
[11]Dr.
Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 110.
[12]Në
kongresin e OÇP-së, të mbajtur në maj të vitit 1964, Fatah u shpreh për
domosdoshmërinë e luftës së armatosur për rimarrjen e Palestinës. Me shtimin e
radhëve të fedainëve, rreth vitit 1968, ata arritën të siguronin pozita
sunduese në OÇP, duke patur 51 % të votave. Shih: Iain McLean, op. cit., f .
392
[13]Zëvendës i tij u zgjodh Faruk El Kavmi. Gjatë zgjedhjeve të 2004 për postin e
presidentit të Autoritetit Palestinez, lëvizja politike palestineze me shumë
influencë ‘Fatah’ ka zgjedhur politikanin Mahmund Abas si kandidatin e saj të
vetëm për të pasuar Jaser Arafatin në postin e presidentit të Autoritetit
Palestinez. Shih: http://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%AD%D8%B1%D9%83%D8%A9_%D9%81%D8%AA%D8%AD (me datë 28. 06. 2008.)
[14]Dr.
Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 129-131.
[15]http://en.wikipedia.org/wiki/Fatah  (me datë 20. 07. 2008.)
[16]Mounir
Chafiq, op. cit., f. 139-40.
[17]http://en.wikipedia.org/wiki/Palestine_Liberation_Organization (me datë 12. 07. 2008.)
[18]Më
12-21 mars të vitit 1977, në një takim të mbajtur në Kajro, OÇP e përcaktoi
qëllimin e saj strategjik si vijon: “Qëllimi ynë është çlirimi i Palestinës nga
pushtimi sionist racist, që ajo të kthehet ashtu si e ka krijuar Allahu, atdhe
për popullin e Palestinës, në të cilën do të jetojnë bijtë e saj çifutë,
krishterë dhe muslimanë në demokraci dhe të barabartë, në një ambient ku do të
dominojë paqja, toleranca dhe vëllazërimi pa kurrfarë diferencimi në bazë të fesë
ose të ngjyrës, gjinisë dhe që Palestina të kthehet sikurse ka qenë qysh prej
kur e ka krijuar Allahu: atdhe shpirtëror për të gjithë besimtarët në të gjitha
anët e botës.” Shih: Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op.
cit., f. 134-135. 
[19]Iain
McLean, op. cit., f . 392.
[20]Karen Armfong … Shih:
http://www.zeriislam.com/2008/Feja-nuk-eshte-shkak-i-percarjeve-ne-bote.html (me datë 15. 07. 2008.)
[21]Harun
Yahya, op. cit., f. 141.