Eshrefollu Rumiu “Qiriu i Perandorisë Osmane”.

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Thu, 28 Feb 2013 00:37:36 +0100
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFn6sD4KnuH4qSCrZPRCBmhgojQbF8nX4ALSssCG1t24=g@mail.gmail.com>
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 07

http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=f24f6e99-48df-43c8-856d-6c6bfe2f4b73
Porti ynë i ri në Detin e diturisë së Anadollit do të jetë Eshrefollu
Rumiu, i cilësuar nga teologu i kohëve moderne, Mustafa Kara, si “Qiriu i
Perandorisë Osmane”.
[image: Deti i diturisë së Anadollit 07]
                 Postuar më 27.02.2013 13:36:04 UTC
 Përditësuar më 27.02.2013 14:04:25 UTC

            Sekreti i fuqisë dhe jetëgjatësisë së shtetit, që u formua nga
osmanët dhe mbisundoi për qindra vite me radhë në Anadoll e hapësirat
gjeografike përreth tij, ka ngjallur gjithnjë kureshtje të madhe. Disa
historianë e lidhin këtë fakt me strukturën shoqërore të turqve, disa të
tjerë me konjukturën historike, ndërsa të tjerë me traditat e tyre
shtetërore. Dhe në të vërtetë secila prej të gjitha këtyre renditen mes
arsyeve, që shpjegojnë fenomenin në fjalë. Por në thelb, ajo që i ka
ndikuar më shumë dhe i ka bërë më të fuqishëm otomanët, është flaka
ndriçuese e zjarrit të diturisë, që kanë ndezur evliatë e Anadollit.
Dijetarët e mëdhenj, që i kanë ngarë pas dijes dhe të vërtetës, janë bërë
qirinj për osmanët dhe iu kanë garantuar atyre frymën, dritën e mendimit,
që i ka ushqyer ata në marshimin e tyre galopant historik.

            Porti ynë i ri në Detin e diturisë së Anadollit do të jetë një
nga këta qirinj të urtësisë: Sot do të njihemi me Eshrefollu Rumiun.

            Eshrefollu Rumiu, të cilin teologu i kohëve moderne Mustafa
Kara e cilëson si “Qiriu i Perandorisë Osmane”, ishte një dijetar fetar,
sufist dhe poet, që ka jetuar në fund të shekullit të 15-të.

            Eshrefollu ishte një person, që deri në moshën 40-vjeçare
kishte marrë një arsim mbi standardet e asaj kohe dhe konsideroj si një
autoritet i lartë e kompetent i zoti veçanërisht në fushën e të drejtës
fetare. Gjatë periudhës që vijonte studimet dhe e kalonte thuajse të gjithë
kohë mbi libra voluminozë, në zemrën e këtij ashiku të dijes kishte rënë
edhe një tjetër zjarr: Ishte dashuruar me “misticizmin islam”. Ai kishte
filluar të ushqente përbrenda vetes një ndjenjë dashurie për filozofët
islamë, pasi ata kishin një stil të veçantë, me të cilin u drejtoheshin
njerëzve dhe arrinin të pushtonin shumë shpejt zemrat e tyre. Dhe me të
mbushur 40 vjeç Eshrefollu i dha fund plotësisht arsimimit të tij shkencor
për t'iu vënë rrugëve në kërkim të një mjeshtri, që do t'i hapte atij
portat e diturisë së vërtetë, asaj më mistikes, më tërheqëses dhe padyshim
më të vështirë.

            Fillimisht Eshrefollu ka vizituar për periudha jo shumë të
gjata disa qendra të ndryshme sufizmi, por më në fund është lidhur me Haxhi
Bajram Veliun, është bërë nxënës i tij dhe nuk i është ndarë këtij dijetari
të madh për një kohë të gjatë. Ai i ka shërbyer Haxhi Bajram Veliut deri në
moshën 50-vjeçare.

            Pa kaluar shumë Eshrefollu Rumiut, i cili mësime rreth
filozofisë islame ka marrë edhe nga emra të tjerë, i erdhi radha që t'i
ushqente vet ai njerëzit nga arteriet e Detit të diturisë së Anadollit. Dhe
ai, i veshur me petkun e një mësuesi të madh, do të fillonte t'u shpjegonte
njerëzve të fshehtat e të vërtetës, domosdoshmëritë e qenies njerëzore,
sekretet e nevojshme për të arritur pjekurinë shpirtërore.

            Faktikisht, për një kohë relativisht të gjatë Eshrefollu nuk ka
pasur shumë dëshirë për t'u përzierë mes njerëzve e për t'u përcjellë atyre
njohuritë e tij. Sepse atij i pëlqente jashtë mase vetmia dhe mundësia, që
ajo i krijonte për ta ndjerë Perëndinë sa më afër. Por punët ndryshojnë kur
ai kapet dhe robërohet nga një fshatar në majat e një mali, ku ishte
ngujuar vetëm për t'iu shmangur njerëzve, që kishin dëgjuar famën e tij.
Fshatari kujtonte se kishte shtënë në dorë një keqbërës dhe donte t'ia
dorëzonte atë forcave të rendit. Megjithëse në fund të aventurës fshatari e
kuptoi të vërtetën dhe i kërkoi ndjesë këtij dijetari të madh, kjo ngjarje
e çuditshme e detyroi Eshrefollu Rumiu të rikthehet në mesin e njerëzve.
Këtej e tutje Eshrefollu, i cili zbriti nga majat e maleve, do të bëhej një
banor i përhershëm i zemrave të njerëzve.

            Edhe pse ishte i rrahur me një disiplinë rigoroze akademike,
Eshrefollu Rumiu kishte një karakter, që nuk pasqyronte as më të voglën
shenjë nga vrazhdësia dhe ftohtësia e atëhershme e shkencës. Përkundrazi,
romanticizmi i tij letrar e shtynte atë drejtpërsëdrejti në prehrin e
poezisë. Dhe në fakt nuk ka asnjë pikë dyshimi që radhët e para në
letërsinë botërore të poezisë lirike i zënë poetët sufistë. Madje me
akumulimin e ndjenjave dhe intensitetin shpirtëror të letrarëve sufistë nuk
mund të krahasohen as poetët më të suksesshëm të dashurisë në Perëndim dhe
Lindje.

            Eshrefollu e dinte më së miri që poezia është rruga më e
përshtatshme për t'iu drejtuar natyrës së njeriut dhe për ta nxjerrë
shpirtin në shesh me gjithë lakuriqësinë e tij. Ai ishte një nga ata
dijetarë, që në udhëtimin e tyre shpirtëror kishin arritur me sukses t'i
kuptonin sa të ngushtë janë kufijtë njerëzorë dhe të fluturonin përtej
tyre. E padyshim vetëm poezia mund t'i përshtatej këtij dimensioni pa
kufij, kësaj pafundësie.

            Poezitë e Eshrefollu Rumiut nuk ngjasojnë me ato plot ankthe
dhe shqetësime të përditshme të poetëve perëndimorë. Ato nuk devijojnë në
stacione tragjike dhe nuk paraqesin skena dramatike. Sepse ky dijetar i
madh, që ashtu si tërë sufistët e tjerë kishte përvetësuar Krijuesin si të
vërtetë të vetme, ishte i ngopur me filozofi të rreme. Pena dhe fjala e tij
ishin nën urdhrin e dashurisë hyjnore. Ai ishte dehur me këtë ndjenjë:

            *Dashuria më ka rrëmbyer mendjen,*

*            Prandaj ti mos më pyet për mua,*

*            Unë s'po mund të gjej as veten,*

*            E si mund të të them çfarë dua?*

            Falë veprave të tij të shumta, më e njohura prej të cilave
është libri me titull “Muzekkin-Nufus” (Pastrus i Egove), Eshrefollu Rumiu
është bërë për qindra vjet me radhë një burim, që trajtëson kujtesën e
popujve të Anadollit. Gjuha e thjeshtë dhe e natyrshme, që ai ka përdorur,
por edhe entuziazmi i pafund i ndjenjave, që përcjellin sot e kësaj dite
vjershat e tij, kanë bërë që atë ta duan një numër mjaft i madh njerëzish.
Këtu duhet të theksojmë se disa nga vargjet, që e shpjegojnë më mirë
dashurinë në poezinë turke, mbajnë pikërisht firmën e Eshrefollu Rumiut.

            Dijetarët, që vrapojnë pas sevdasë, duket se sa më shumë që u
shtohet dashuria për Zotin aq më shumë u venitet ekzistenca. Ashtu si në
shembullin e Eshrefollu Rumiut, atyre u rrëmbehet egoja. E drejtë, të urtët
lejojnë që t’u rrëmbehet egoja, por pasuria, që ata fitojnë më pas, është
shumë më e madhe. Në këmbim të egos, që ata e shkelin me këmbë, evliatë
fitojnë shpirtin. Kështu ata zotërojnë nga një shpirt të çliruar, të bërë
njësh me natyrën dhe Perëndinë. Madje mund të thuhet se çdonjëri prej tyre
është ekzistenca vet.

            Si çdo sufist tjetër edhe Eshrefollu Rumiu e përjetonte,
ndjente Krijuesin brenda zemrës së tij dhe shkrihej e bëhej njësh me Të.
Por as kjo nuk i mjaftonte atij. Ai kërkonte gjithnjë më shumë, sepse
dashuria hyjnore ishte e pafund sipas sufistëve.

            Çdo gjë që sytë u shikonin dhe veshët u dëgjonin ata e
konceptonin si një shenjë nga Zoti. Ata e konsideronin gjithçka si të
lidhur me njëra-tjetrën nëpërmjet një sekreti hyjnor. Ja pra, një ndjenjë e
tillë është edhe “Bashkimi i Ekzistencës” (Vahdet-i Vuxhud), e cila është
njëkohësisht ideja parësore e metafizikës sufiste. Të jetosh larg kësaj
ndjenje, është tortura më madhe e mundshme për ta.

            Njeriu është një lloj robi i egos së tij që nga lindja deri në
vdekje. Të gjithë dijetarët e Anadollit kanë sjellë në popull një valë
rebelimi kundër këtij robërimi tinëzar. Dhe qindra-mijëra njerëz, që nuk
kanë dashur të bëhen robër të egos së tyre, i kanë çliruar shpirtrat e tyre
duke iu përmbajtur këshillave të këtyre dijetarëve.

            Për Eshrefollu Rumiun lënda djegëse esenciale e rebelimit në
fjalë ishte dashuria, ajo hyjnore dhe e vërtetë, Edhe ai, njësoj si Junus
Emreja dhe Mevlana, ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij përvëlimit në këtë
zjarr.

            Eshrefollu Rumiu ishte plotësisht i vetëdijshëm se dashuria,
edhe pse mundëson bashkimin e më shumë se një palëve, në fakt eliminon
ndarjet dhe i unifikon palët në një trup të vetëm. Prandaj theksi, që vet
Eshrefollu Rumiu dhe të gjithë dijetarët e tjerë të Anadollit vendosin mbi
dashurinë, në thelb është një apel për bashkim.

            Dhe për çdo njeri, që kërkon të plotësohet, të arrijë pjekurinë
dhe bashkimin e ekzistencës, ka vetëm një mënyrë të vlefshme veprimi:

*            “... të jetosh vetëm si një ashik dhe të zhytesh pa frikë në
detin e pafund të dashurisë...”*