Emir Sulltani
Hamdi Nuhiju <[email protected]> Thu, 28 Feb 2013 00:39:51 +0100
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUF=9uCWkCoMpBx1BZA2+mRytuoi1-a0aNpqAK5x7yTL=Yg@mail.gmail.com> |
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 08
http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=9039f7f7-ec35-4eb6-a0de-9b34eea2235b
Këtë javë do të njihemi me simbolin e qytetit Bursa, Emir Sulltanin, i cili
në jetë dhe pas saj ka qenë gjithnjë ambasador i idesë së bashkimit dhe
solidarizimit.
[image: Deti i diturisë së Anadollit 08]
Postuar më 27.02.2013 13:32:40 UTC
Përditësuar më 27.02.2013 14:07:19 UTC
* Nëse me mua është zemra juaj,*
* Je pranë meje edhe në Jemen qofsh.*
* Nëse s’është me mua zemra juaj,*
* Je larg meje edhe në afër qofsh.*
* *Historia e njerëzimit është një histori e ndarjeve dhe
bashkimeve. Zemrave të dashuruara herë-herë u duhet të ndahen nga
njëra-tjetra. Dhe kur vjen koha e përshtatshme, pengesat mes tyre
eliminohen e të gjitha zemtat bashkohen në një të vetme.
Ekzistojnë disa njerëz, puna e vetme e të cilëve është të
ndërtojnë këtë bashkim. Ata nuk entuziazmohen kurrë më shumë se sa nga
mendimi i bashkimit të njerëzimit. Ata e shpenzojnë të gjithë jetën e tyre
duke zhdukur farat e këqija të përçarjes e grindjes dhe duke mbjellë në
zemra e njerëzve lulet e bukura të miqësisë, bashkimit e harmonisë. Ata
bëhen aktivistë e ambasadorë onorarë të paqes, shpëtimit, mirëqenies dhe
jetës së moralshme; këtë mesazh ua përcjellin të gjitha vendeve, në të
cilat shkelin.
Një nga këta ambasadorë të bashkimit mund të takohet në çdo
qytet të Anadollit. Sepse historia e qyteteve të Anadollit konsiderohet
njëkohësisht edhe si historia e këtyre njerëzve të zemrës, evliave, pra
njerëzve të dashur të Perëndisë. Haxhi Bajram Veliu në Ankara, Mevlana
Xhelaledin Rumiu në Konja, ose Ejup Sulltani në Stamboll...
Dhe simboli i unitetit e solidaritetit të qytetit Bursa: Sejid
Emir Buhari, i njohur ndryshe si Emir Sulltani...
Këtë javë, në serialin tonë të titulluar “Deti i diturisë së
Anadollit”, do të njihemi me Emir Sulltanin, i cili në jetë dhe pas saj ka
qenë gjithnjë ambasador i idesë së bashkimit.
Emir Sulltani, emri i vërtetë i të cilit është Shemsedin
Muhamed, është lindur në Buhara të Turkistanit, një nga qendrat më të
mirënjohura të dijes. I ati i tij ishte një poçar nga Buharaja dhe quhej
Emir Kulal. Edhe ky poçar i thjeshtë, ashtu si evliatë e Anadollit, për të
cilët u kemi folur në pjesët e mëparshme të programit, ishte një njeri i
brumosur me dituritë dhe edukatën e Horasanit. Po ashtu të birin ai e
kishte rritur me një përkujdesje të jashtëzakonshme dhe me edukatën e
urtësisë.
Ja çfarë i këshillonte ai gjithnjë të birit:
*“Biri im, kur të shohësh apo takosh miqtë e Allahut, duaji ata
më shumë se nënën dhe babanë. Mos u mburr me fisin tënd dhe mos nxirr fjalë
të rreme nga goja. Çdo ditë të jetës tënde kaloje sikur të ishte e fundit.
Mos u sill kurrë me përtaci për të mësuar dituritë. Mos hyr kurrë në mesin
e njerëzve pa i përshëndetur ata. Jeta është një shkollë me çdo aspekt të
saj, prandaj në këtë shkollë vrapo pas mirësisë dhe largoju të keqes!”*
Shemsedin Muhamedi u rrit me këto këshilla të babait dhe kur u
bë një djalë i ri, iu vu rrugëve për të kërkuar diturinë e vërtetë. Ky
djalë i ri, që në zemër ushqente vetëm një dëshirë, atë për të kaluar një
jetë fetare, një ditë prej ditësh shikon një ëndërr të çuditshme. Këtu
duhet të theksojmë se njerëzit e zemrës u kushtojnë rëndësi tepër të madhe
ëndrrave. Ata mendojnë se prej tyre mund të merren shumë mësime dhe mesazhe
kuptimplota. Dhe Shemsedini në ëndërr kishte parë se duhet të shkonte drejt
Anadollit. Me besimin se ëndrra e tij ishte realitet, ai bëri të gjitha
përgatitjet e nevojshme dhe nisi udhëtimin.
Përgjatë gjithë rrugëtimit atë e ndriçuan tri qirinjtë, që
kishte parë në ëndërr. Dhe në këtë mënyrë ai la pas qytete si Karamani,
Nideja dhe Kytahja. Me të mbërritur në Bursa drita e qirinjve në fjalë u
shua dhe Shemsedin Muhamedi e kuptoi ky ishte vendi, në të cilin ai duhet
të qëndronte.
Populli i këtij qyteti, ku ai mbërriti në moshën 22-vjeçare, e
pranoi dhe u miqësua menjëherë, që në shikim të parë, me këtë njeri të
veçantë. Kurse Shemsedin Muhamedi, falë diturisë dhe edukatës së tij
rrallë, solli në këtë qytet begatinë, zhvillimin dhe miqësinë. Gjithashtu
ai në Bursa u martua dhe krijoi një familje shembullore me Hundi Fatma
Hatunen, një nga vajzat e Sulltan Bajazitit të Rrufeshëm.
Pak më lart thamë se ëndrrat kanë një rëndësi të veçantë për
evliatë. Dihet që ëndrrat kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në
martesën e Emir Sulltanit me vajzën e Perandorit Osman. Si Hundi Fatma
Hatuneja ashtu edhe Emir Sulltani kishin parë në ëndërr se ishin lidhur me
njëri-tjetrin me një martesë hyjnore, gjë të cilën ia kishin përcjellë
njeri-tjetrit dhe kishin vendosur të krijonin familje. Nga ana tjetër, edhe
Sulltan Bajaziti i Rrufeshëm kishte krijuar përshtypje jashtëzakonisht të
mira për Emir Sulltanin dhe ishte miqësuar shumë me të. Në fakt edhe
titulli “sulltan”, që Emiri, apo Shemsedin Muhamedi mori më pas, buron nga
marrëdhëniet e tij farefisnore me Pallatin Perandorak Otoman.
Pas vdekjes së Bajazitit të Rrufeshëm, ky njeri i dashur i Zotit
është respektuar shumë edhe nga dy sulltanët vijues të dinastisë
perandorake osmane, Mehmeti I dhe Murati II, madje për këta dy prijës të
mëdhenj ai ka drejtuar ceremonitë e kurorëzimit.
Por Emir Sulltani, pavarësisht marrëdhënieve të ngushta me
dinastinë osmane, politikisht ka mbrojtur gjithmonë idenë e bashkimit.
Asokohe otomanët kishin krijuar një epërsi politike të caktuar ndaj
principatave të tjera në Anadoll. Megjithatë disa familje të tjera turke,
si Artukët, Karamanët dhe Germijanët, vazhdonin t’i bënin qëndresë të fortë
otomanëve. Emir Sulltani është përpjekur gjithnjë t’i bashkonte këto
principata, që kishin të njëjtën fe dhe mënyrë jetese. Kështu ai nuk ka
bërë shërbime të mëdha vetëm në fushën shpirtërore, por edhe në atë
politike e shoqërore.
* Dëgjo sa bukur Zoti ka thënë.*
* Në Zebur Daudin e ka urdhëruar.*
* Bëhu armik më parë i epshit tënd,*
* Më ndiq mua për t’i shpëtuar.*
Kështu shprehet Emir Sulltani në një strofë të vjershave të tij
duke i këshilluar njerëzit që të dëgjojnë thirrjen hyjrore, që i është bërë
Profetit Daud. Ky apel kërkon fillimisht eliminimin e egos, të cilën ai e
quan adrallë. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të hapen portat e të
vërtetës.
*Eja, tani edhe ti bëhu armik i epshit,*
* Të humbur quaje gjithçka ai kërkon,*
* Në arrin dyfytyrësinë këtu ta flakësh,*
* Evliatë quaji udhërrëfyes përgjithmon(ë).*
Egoja i paraqet njeriut kërkesa të pafundme. Merr këtë, edhe
këtë tjetrën, kërko gjithçka, zotëro çdo gjë! Këto 3-4 fjali janë sekreti i
egos dhe epshit. Për të gjithë ata, që mendojnë se këto fraza janë
fjalëkalimi, që do të hapë të gjitha dyert e jetës para tij, shekuj më parë
Emir Sulltani ka dërguar një sinjal paralajmërues. Ai u bën thirrje atyre
që të rebelohen kundër epsheve. “Bëni të kundërtët e asaj, që u kërkon
egoja”, thotë Shemsedin Muhamedi. Ja pra, kështu do të eliminohet çdo lloj
hipokrizie në zemrat tuaja dhe do të hapen deri në fund portat e të
vërtetës.
*Në më kupton kështu vepro,*
* Nga ligësia e epshit ti shpëto,*
* Synimit të egos largoju.*
* Pre e saj në bie, djallit mos iu afro.*
Sipas gojëdhënave, Emir Sulltani i pëshpëriste vazhdimisht këto
vargje. Dhe kjo e vërteton shumë mirë se ai kërkonte fillimisht të nxirrte
mësime për vete dhe t’i vinte ato vathë në vesh, pastaj tua këshillonte ato
të tjerëve. Sepse ai nuk ishte kurrsesi nga ata, që thonë: “Bëni si them
unë, mos bëni si bëj unë.” Ato që ua këshillonte të tjerëve, Emir Sulltani
ia urdhëronte së pari epshit të tij. Ai nuk hoqi kurrë dorë së edukuari
egon e tij teksa përpiqej të edukonte njerëzit e tjerë.
Vërtetësia e fjalëve të Emir Sulltanit dhe sinqeriteti i
karakterit të tij vinin si rezultat i këtyre përpjekjeve të jashtëzakonshme.
Sot, tyrbeja ku prehet Emir Sulltani, konsiderohet një vend i
shenjtë dhe ka një numër të madh vizitorësh. Njerëzit që përmendin
vazhdimisht emrin e Allahut, ata që kërkojnë të shkëlqejnë zemrat e tyre me
rrezatimin e të vërtetës, vizitojnë tyrben e tij dhe mundohen të përfitojnë
nga atmosfera e atjeshme shpirtërore. Tyrbeja e Emir Sulltanit është simbol
i Bursës dhe në pranverë arrin kulmin e numrit të vizitorëve, pasi atje
krijohet edhe një parajsë e vërtetë nga ngjyrat dhe aroma e luleve të
jorgovanit. Kjo është një traditë rreth 500-vjeçare. Këtë periudhë disa e
quajnë “koha e jorgavanit”, disa të tjerë “festa e jorgovanit”. Kështu Emir
Sulltani vazhdon t’i bashkojë njerëzit edhe pas vdekjes.