[AlbClub] Shpërndarja e drejtë e pasurisë sh tetërore

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <02f101c86aea$758b3cd0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***





Shpërndarja e drejtë e pasurisë shtetërore
[Gazeta Shqiptare, 9.2.2008]

U mbushën 17 vjet që e kemi nisur denacionalizimin, pra privatizimin dhe 
kthimin e pronave, dhe akoma nuk kemi mbaruar punë.  Tani po dëgjojmë se po 
përgatitet pabesia e radhës: sekuestrimi i tokës që u është dhënë 
punonjëseve të fermave, pikërisht pjesës më të vuajtur, pas atyre që u 
burgosën, të qytetarëve shqiptarë të periudhës komuniste.  Ia vlen të 
rikujtojmë doktrinën mbi bazën e së cilës PD-ja pati ndërtuar ligjet që qenë 
në themel të denacionalizimit të pasurive të shtetit shqiptar në gjysmën e 
parë të viteve '90, doktrinë që bëri që PD-ja të kishte votën plebishitare 
të vitit 1992, votë e pavjedhur!


Shteti si një kompani me aksionarë të gjithë shqiptarët

Analogjia e shtetit komunist shqiptar, me një kompani, ka qenë bazë e 
doktrinës sipas së cilës u bënë ligjet e shpërndarjes së pronës së shtetit. 
Këtu, me kompani kuptohet një shoqëri tregtare e tipit SHA (shoqëri 
aksionare).  Pra, shteti komunist shqiptar, në vitin 1991, u imagjinua si 
një kompani që po e quajmë kompania SHK (e shtetit komunist). Aksionarët 
(ortakët, bashkëpronarët) e kompanisë SHK, janë të gjithë shqiptarët që kanë 
jetuar në Shqipëri, gjatë periudhës së regjimit komunist, nga 1945 deri në 
1991.  Kjo analogji na lejon të përdorim principet e njohura botërisht të 
trajtimit të pronës së kompanive.

Disa shtete të tjera (si Hungaria, Çekia etj.) kanë bërë analogji me një 
sipërmarrje pronarësh që kanë bashkuar provizorisht përpjekjet e tyre, por 
jo pronat e tyre.  Kjo analogji mund të bëhesh në rastin e tyre, mbasi 
qytetarët e atyre shteteve të kishin arritur që pronat e tyre t'i mbanin 
pjesërisht në pronësi private, ose të identifikuara qartë dhe të lidhura 
ngushtë, qoftë faktikisht, qoftë së paku emocionalisht, pothuaj përgjatë të 
gjithë periudhës së tyre komuniste.  Kjo analogji nuk shkonte për rastin 
tonë.

Në Shqipëri, ne lejuam një variant shumë të egër të komunizmit, të shoqëruar 
me një "harresë" totale të pronës private.  Prandaj, ne pak mund të 
përdornim analogji me shtetin komunist si sipërmarrje pronarësh të veçantë 
privatë, dhe prandaj analogjia mbizotëruese dhe më e përshtatshmja ishte 
kompania.  Ne shqiptarët kishim lejuar komunizmin të shtetëzonte 
(nacionalizonte) çdo gjë e që fare herët: bëmë kolektivizim e shtetëzim deri 
edhe të pulave të oborrit të fshatarit; kishim një "harrim" të marrjes me 
pronën, të pronarëve të vjetër, deri dhe në "falje vullnetare" të pronës; 
kishim arshiva të mangëta të pronësisë; kishim një zyrtar tejet të 
korruptuar dhe të paaftë, saqë dublimet e pronave e bënë Shqipërinë 
"trefishin e asaj që është"; kishim arritur në degjenerime të tilla morale, 
sa dhe të lejonim që komunizmi të na shkatërronte edhe fetë tona me gjithë 
institucionet e tyre.  E thënë më shkurt, ne shqiptarët me Enverin në krye, 
kishim ndjekur pronën private, shumë më pak se pronarët e vendeve të tjera: 
ne ishim më të ngjashëm në këtë gjë, me rusët me Stalinin e tyre, bile dhe 
ua kaluam për të keqe, pas vitit 1961.

Për të kuptuar sesa kontribut ka çdo shqiptar në pasurinë që kishte shteti 
në vitin 1991, kur filloi denacionalizimi i tij, le t'i drejtohemi 
analogjisë me kompaninë.  Një kompani formohet mbi bazën e kontributit të 
secilit nga aksionarët e saj.  Kontributet janë të formave më të ndryshme, 
qoftë në lekë, qoftë dhe në natyrë, në tokë, shtëpi etj.  Pas marrjes së 
kontributit nga kompania, ai, kontributi shkrihet me të gjithë pasurinë e 
kompanisë, pra nuk ruhet identiteti i tij "kjo tokë është e filanit", "apo 
kjo bizhuteri e filanit".  Ajo që ruhet dhe shënohet, është vetëm vlera e 
kontributit në momentin e futjes në kompani: "filani dha kaq pare kontribut": 
çdo kontribut transformohet në një vlerë në para.  P.sh., kompania më e 
thjeshtë do të ishte ajo në mes Pashku (ish-pronari), Fuati (ish-punonjësi i 
fermës) dhe Bertit (ish-të burgosurit).  E zëmë se këta kontribuuan 
përkatësisht si vijon, i pari me tokë me vlerë 10 milionë pare; i dyti me 
pjesë të pagës së mbajtur gjatë gjithë jetës nga kompania, dhe kjo e zëmë me 
vlerë 10 milionë; i treti me pagën që për një periudhë i mbajti pothuaj 
tërësisht nga kompania, edhe kjo me vlerë 10 milionë: pra të tre njësoj, e 
gjithsej 30 milionë pare.  Do t'i kthehemi më poshtë këtij shembulli.

Kompania SHK u krijua që në vitin 1945, me dhunë dhe me mashtrime.  Shteti 
komunist i detyroi me dhunë aksionarët e saj, popullin shqiptar, të japin 
kontributin për krijimin e saj.  Kështu shteti sekuestroi para, bizhuteri, 
fabrika private, shtëpia, troje, tokë bujqësore etj.  Gjithashtu, shteti u 
mbante një pjesë të pagës shqiptarëve që punonin për të.  U jepte një pagesë 
qesharake, pothuaj zero, të burgosurve që ndërtonin banesa, punonin në 
miniera etj.  U jepte një pagesë relativisht të vogël edhe atyre që nuk 
ishin në burg.  Të gjitha këto, kush me vlerë të madhe, e kush me vlerë më 
të vogël, përbënin kontributin e secilit aksionar në pasurinë e kompanisë 
SHK.

Për të gjykuar drejtësinë e "kthimit të pronës tek i zoti", apo të "dhënies 
së pronës tjetërkujt, atij që nuk ka pasur pronë", probleme këto që janë 
diskutuar shumë në procesin e denacionalizimit të shtetit tonë gjatë këtyre 
17 vjetëve, na shërben analogjia me shpërndarjen e pronës së kompanisë.  Kur 
kompania shpërndan pasurinë e vet (p.sh. sepse falimenton etj.) i jepet çdo 
aksionari një vlerë parash në përpjesëtim me kontributin e tij.  Pra, 
zakonisht shitet prona e kompanisë, dhe paratë e marra nga shitja, u 
shpërndahen secilit aksionar, proporcionalisht me vlerën e kontributit të 
secilit në kompani.  Në shembullin tonë të mësipërm, nëse Pashku, Fuati dhe 
Berti, do ta shpërndanin pasurinë e kompanisë së tyre, secili do të merrte 
një të tretën e vlerës së pasurisë së kompanisë në momentin e shitjes, e 
mbylljes.  Pra nuk është e thënë që Fuati dhe Berti "të marrin paret e veta", 
dhe Pashku "të marrë tokën e vet".  Kompania, gjatë aktivitetit të saj mund 
të ketë blerë apo shitur toka, makineri, ndërtesa etj., si dhe të ketë ose 
të mos ketë në gjendje para të thata.  Pra, si rezultat i aktivitetit, vlera 
e pasurisë së kompanisë mund të jetë fare e ndryshme nga vlera 30 milionë që 
kishte kur u krijua (edhe kompania SHK, në 1991, kishte një vlerë jo sa 
shuma e kontributeve!).  Mendoni sikur kompania e tre vetave tonë, të ketë 
ecur aq keq, saqë të ketë humbur çdo gjë, e t'i ketë mbetur vetëm "toka e 
Pashkut", apo më drejtë: "toka që pat futur si kontribut Pashku".  Atëherë 
ajo tokë, pavarësisht se dikur ka qenë e Pashkut, do të ndahet në tri pjesë, 
dhe t'u jepet nga një pjesë Fuatit, Bertit dhe Pashkut.  Sado e ashpër t'i 
duket ndonjë shqiptari, sidomos disa ish-pronarëve që kanë vite që 
mashtrohen nga politika, ju garantojmë se kështu është e drejta në të gjithë 
botën, edhe në vendet 100 herë më demokratike, për pronën private, sesa 
Shqipëria jonë ish-komuniste.


Shpërndarja e pasurisë SHTETËRORE.

Në rastin e pasurisë së shtetit shqiptar, të kompanisë SHK, shpërndarja e 
saj teorikisht mund të ishte bërë duke e shitur atë, dhe pastaj secilit 
shqiptar t'i jepej pjesa e vet e parave, në përpjesëtim me kontributin e tij 
në kompaninë SHK.  Kjo do të kishte qenë një shpërndarje krejtësisht e 
drejtë ekonomikisht, por e pamundur të bëhej praktikisht.  Prandaj dhe u 
zgjodhën rrugë që e bënin të mundur shpërndarjen, por ama pa harruar sfondin 
e doktrinës bazë: shpërndarje sa më afër kontributit, edhe atij me "pagë të 
papaguar", apo "me vuajtje".  Kështu, një pjesë e pasurisë u nda në natyrë: 
toka bujqësore pjesërisht iu dha fshatarëve dhe punonjësve të fermave; 
shtëpitë, trojet, fabrikat etj. iu kthyen pronarëve të vjetër; banesat 
shtetërore u privatizuan me çmime të ulëta në favor të banorëve të tyre; 
dyqanet iu shitën shitësve me çmime simbolike; iu dha përkrahje në 
privatizime punonjësve të ndërmarrjeve; iu dha përkrahje të përndjekurve 
politikë; iu dha dhe iu premtuan lekë burgu ish-të përndjekurve politikë; iu 
premtua kompensim pronarëve të vjetër etj.  Në shpërndarjen e kryer, 
praktikisht u mbajtën qëndrime politike, që tentonin të shprehnin në vlerë 
ekonomike edhe kontributet e vështira për t'u kthyer në vlera ekonomike, siç 
ishin përndjekja politike dhe ekonomike e të gjitha formave.

Në rastin e shtetit, e kompanisë SHK, është shumë e vështirë të bëhet 
vlerësimi i saktë i kontributeve.  P.sh., është e vështirë gjetja e vlerës 
së sendeve dhe objekteve që u sekuestruan.  Është dhe më e vështirë të 
llogariten vlerat absolute e pagave të papaguara etj.  Por ama u bënë 
vlerësime relative.  P.sh. dihej me siguri se ishte shumë më i madh 
kontributi i papaguar i qytetarëve që u binte bretku në fermat komuniste, 
sesa p.sh. ai i një mjeku në mes të Tiranës, si i kryeministrit tonë, këtij 
që sot do t'u marrë tokat që ka "14 vjet" që shteti demokratik ua ka dhënë 
punonjësve të fermave.  E vërtetë, ku e ku jeta në lopatë e në baltë e 
shokëve moshatarë të kryeministrit tonë, e atyre që, jo për paaftësi, 
komunizmi nuk i linte të punonin askund tjetër veçse në fermat bujqësore, 
krahasuar ajo jetë ferri, me rehatinë e mjekut, për më tepër dhe sekretar i 
partisë komuniste, që kishte favore pa fund të siguruara nga komunizmi. 
Mirë thuhet, nuk ia di i ngopuri të uriturit.

Mbetet që shteti të mbajë premtimet e dhëna, pa u kthyer pabesisht mbrapsht. 
Shteti duhet të bëjë kompensimin e premtuar të pronarëve të vjetër 
(ish-pronarëve), dhënien e "parave të burgut e të pushkatimeve", si dhe 
rritjen e vlerës në treg të letrave me vlerë, duke privatizuar edhe me 
pagesë me letra me vlerë.  Por shteti kurrsesi nuk duhet të hyjë në pabesi 
të rrezikshme të sekuestrimit të tokës së dhënë, qoftë qytetarëve, qoftë 
fshatarëve, qoftë punonjësve të fermave (atyre thjeshtë iu pati dhënë një 
pjesë të vetën të kontributit), qoftë kujtdo që shteti ia ka dhënë vetë, pa 
mashtrime.  Është djallëzor justifikimi se gjoja kjo qeveri do t'ua japë 
"atë tokën e fermave, pronarëve të vjetër": qëllimi mund të jetë vetëm që t'u 
kundërvërë pronarëve të vjetër, pronarët e rinj.

Kjo qeverisje nuk duhet të bëjë lojëra që destabilizojnë gjithë vendin.  Kjo 
qeverisje, apo së paku ajo tjetra që do të pasojë, duhet të prapësojë 
legalizimin pa paguar tokën e grabitur, atë që e vendosi me ligj megadushku 
Kuvendi i vitit 2006.  Ajo është tokë e grabitur, dhe jo e shpërndarë nga 
shteti demokratik për kontribute: bashkëfshatarët e grabitësve, me 
kontribute njësoj me ta por njerëz të ndershëm, nuk grabitën tokë, por e 
blenë me çmimet e tregut.  Drejtësia do që grabitësit të detyrohen që së 
paku ta paguajnë tokën e grabitur, dhe ky fond po, të përdoret për 
kompensimin e pronarëve të vjetër.

Bashkim Kopliku
7.2.2008


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.