[AlbClub] E gjitha, për gllabërimin e Top C hannel
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Sat, 7 Jun 2008 09:10:01 +0200
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <001301c8c86d$86903f90$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
E gjitha, për gllabërimin e Top Channel
[Gazeta Shqiptare, 7.6.2008]
Gjithë ajo potere, në ditë gjëme. Kryeministri ynë mbetet protagonisti i
ngatërresave, edhe tek vdekjet. Kështu ndodhi edhe me vdekjen e Dritan
Hoxhës, të krijuesit dhe drejtuesit të Top Channel. Me që nuk di te
ngushëllojë, së paku të merrej me përgjegjësitë që ka si kryeministër, që po
i rriten përditë aksidentet automobilistike, e jo që ditën e vdekjes, të
merret me sajime diversionesh për interesat e tija meskine të mbajtjes me
dhëmbë të pushtetit. Duket se provoi të gllabërojë TCH, por nuk i eci-është
një fat që gruaja e Dritan Hoxhës, do ta ruajë televizionin nga grabitja.
Meritat
Me Dritan Hoxhën iku një personalitet që arriti që në mishmashin shqiptar,
të ngrejë një televizion të përmasave evropiane. Pak kush tjetër ka arritur
këto vjet, këto maja. Nuk e kam njohur personalisht Dritan Hoxhën, por kam
njohur produktin e tij: Top Channel, që ka mbushur shtëpitë e shqiptarëve me
të vërteta, me humor, me ndjenjën që nuk po të ngopin në rrena, që nuk është
i shitur, por është "kokë në vete". Kontrasti i tij bëhet më i madh, kur
sheh rrotull mjerimin e shumë mediave të tjera që janë bërë të pështira në
servilosjen dhe shërbimin prej lakeu (shërbëtori), që i bëjnë pushtetarit të
radhës.
Është krejt e përligjur, krejt etike dhe krejt e moralshme, që ikja e një
njeriu të tillë, të shoqërohej me atë përcjellje madhështore që iu bë nga
kolegët, nga shumë politikanë, nga njerëz të medias, si dhe nga njerëz të
thjeshtë. E ç'është më e pastra dhe më moralja, po nderohet një njeri, kur
tashmë "nuk ka më gjë në dorë"!
Nuk është e lehtë në Shqipërinë tonë aktuale, të nderosh vdekjen e një
njeriu që nuk është servil i kryeministrit. Të shkruhet emri në listat e
zeza të kryeministrit, dhe do të paguash shtrenjtë, ti dhe të tutë: me heqje
nga puna, me nota të këqija në mësime për fëmijët, me mosdhënie lejesh e
licencash për biznese, me dërgim tatimesh arbitrare tek biznesi, me humbje
tenderësh, me izolim nga shoqëria, etj. etj. Çdokush që ka dy pare mend i
di të gjitha këto, sepse i sheh të ngjasin përditë. Natyrisht, akoma nuk
pushkatohet e burgoset njeri, si në kohën e Enver Hoxhës, sepse "është
jashtë mode", tani për tani.
Faji
Por duhet të mësohemi të respektojmë ligjin në çdo moment, njësoj për këdo,
edhe për të dashurit tonë: është kërkesa elementare që të bëhemi edhe ne me
një shtet.
Dritan Hoxha po ecte në shkelje të rregullave të qarkullimit, atë natën e
aksidentit-siç ecim shpesh edhe ne që po shkruajmë; siç shihet të ecin, edhe
"ditën për diell", shumë makina të tjera, e në mes të kryeqytetit.
Shpejtësia e lejuar në qytet, është 40 km/orë, e Dritani, sipas ekspertizës,
ishte mbi 170 km/orë. Pra ishte në shkelje të ligjit, ishte me faj.
Përgjegjësia e qeverisë
Por qeveria ka përgjegjësi për aksidentet që janë shtuar në vendin tonë.
Nëse do të kishte vendosur një zbatim më të mirë të rregullave të
qarkullimit, aksidentet do të ishin ulur.
Më konkretisht. Nëse Dritan Hoxha, gjatë gjithë këtyre viteve që ecte shumë
shpejt me makinë, do të ishte ndaluar disa herë nga policia rrugore, duke u
gjobitur, hequr patenta etj., ai sot do të ishte gjallë. Natyrisht, e
njëjta gjë mund të thuhet edhe për qindra njerëz të tjerë, që vdesin a
lëndohen rrugëve tona.
E pra kryeministri ynë, nuk do e nuk di t'i bëjë këto analiza të thjeshta, e
të përmirësojë qeverisjen. Ai bën të kundërtën: mbjell frymën e
moskokëçarjes për mirëqeverisje, duke orientuar të gjithë shtetin, çdo
hallkë të tij, vetëm në sigurimin e pushtetit. Në administratën shqiptare,
posti i punës sigurohet jo mbi bazën e kryerjes mirë të detyrave, por mbi
bazën e "qëndrimit politik": "je apo nuk je me Salën".
Por çfarë mund të bënte një kryeministër që i qanë vërtetë mendja për
qytetarët e vet, e konkretisht për uljen e aksidenteve të qarkullimit
rrugor? Puna më e thjeshtë është të detyrojë policinë rrugore të zbatojë
ligjin, rregulloren e qarkullimit. Nëse sheh se ministri i brendshëm nuk ka
rezultat në punë, e shkarkon-po ecin makinat në mes të kryeqytetit me
shpejtësi skëterre. Pastaj masat vijnë me radhë: ministri shkarkon shefin e
qarkullimit të Tiranës, që nuk ka marrë masa që të mos qarkullohet kaq keq;
shefi i qarkullimit shkarkon nga puna patrullat e policisë të asaj nate, në
atë zonë, që nuk kanë raportuar se një makinë me targën kaq e aq po
qarkullon me shpejtësi etj. etj.
Nuk dëgjuam të jetë marrë asnjë nga këto masa, si reagim i qeverisë për
aksidentin e ndodhur në mes të Tiranës. Nga ana tjetër, dëgjuam
kryeministrin të përzihet në punët personale e familjare, të njerëzve në zi.
Intrigat
Kryeministri nuk e ha fare meraku, se "nuk u përsërit nga disa media, lajmi
se kush ishte në makinë". Ai thjesht shfrytëzoi momentin që të shqetësojë
gruan dhe fëmijët e të vdekurit, pikërisht në ditët e zisë.
Kryeministri nuk e ka fare hallin, as tek hakmarrja ndaj Dritan Hoxhës, që
pati deklaruar në fushatën zgjedhore të 2005-ës: "jam me të djathtën, por
kundër Sali Berishës". Jo, e ka vërtetuar kryeministri ynë aktual, se ai i
lëpihet kujtdo, sado që mund t'i jetë kundërvënë atij, shumë më rëndë se iu
pat kundërvënë Dritani: mjafton t'i duhet për mbajtjen e pushtetit, dhe
lëpihet që ç'ke me të, pa pikë zori.
E vetmja gjë logjike, është se kryeministri e ka me median në përgjithësi,
dhe në veçanti me Top Channel të cilin do ta gllabërojë, siç e ka bërë me sa
e sa media të tjera. Prandaj po i thotë familjes së Dritanit: "shokët e
Dritanit janë të këqijtë, si Dritani, unë jam më i mirë, prandaj ma shitni
mua, ose të mive, televizionin tuaj".
Por nuk i eci intriga me gazetarët. Ata janë indinjuar nga ky keqpërdorim
që u bën kryeministri, dhe dolën me një deklaratë të qartë dhe dinjitoze.
Një grua e hekurt?!
Por edhe gruas së Dritanit, nuk po ia hedh dot kryeministri ynë. Flitet se
zonja Hoxha është një grua e fortë ("e hekurt"), e me karakter, që nuk ia ha
qeni shkopin. Flitet se menjëherë ka bërë mbledhjet e para të punës, duke
premtuar se do të vazhdojë punën e Dritanit, burrit që ajo e ka dashur dhe
respektuar.
Ajo zonjë po i bën një nder të madh Shqipërisë, duke e ruajtur Top Channel
të pavarur nga partitë politike, apo nga kryetarët e tyre. Një kolos
mediatik i pavarur, i duhet shumë tani vendit. Shqipëria duket se po hyn në
një periudhë furtune politike, që po paralajmërohet nga disa erëra Lirie që
po ndjehen edhe nga brenda kampit berishist: Presidenti Topi dhe
kryeprokurorja Rama, e nga ana tjetër, kryeministri Berisha dhe kryetarja
Topalli, po agjitojnë kundër njëri-tjetrit. Kryeministri po sheh rrezikun
se mos e heqin, prandaj do bërë kujdes nga të gjithë shqiptarët e të huajt.
Eksperienca e kaluar (viti 1996), tregon se kur ndjen rrezikun e humbjes së
karriges (pushtetit), Ai nuk ndalon para asgjëje. E dogji një herë
Shqipërinë, në 1997-ën, e është turp ta lëmë ta bëjë prapë.
Bashkim Kopliku
6.5.2008
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club