[AlbClub] Formalët dënohen, informalët shp ërblehen

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Mon, 23 Jun 2008 08:31:06 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <042501c8d4fa$bdb99db0$0401a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Formalët dënohen, informalët shpërblehen
[Gazeta Shqiptare, 23.6.2008]

Dëgjuam disa fshatarë të ardhur "nga veriu", që ankonin se do t'u marrin 
tokën e tyre.  Do t'ua marrkan, sepse në tokën e tyre do të ndërtuakan parqe 
industriale "me 1 euro", ato që shpalli kryeministri para disa ditësh, aty 
pranë Durrësit.  Toka është  "e tyre", sepse u është dhënë me ligj nga 
shteti demokratik shqiptar, bile duke i lutur ta marrin.  Nejse, por 
gjithsesi qeveria duhet t'u paguajë tokën dhe shtëpitë, sipas çmimit të 
tregut, si për çdo pronar tjetër të ligjshëm, pavarësisht se mbase akoma nuk 
u kanë bërë dokumentet (tapitë etj.) burokratët e shtetit.

Këta fshatarë kanë ardhur nga zonat e Veriut e Verilindjes, në përgjigje të 
ofertës (lutjes) për t'u vendosur në zonat e caktuara nga qeveria.  Këta nuk 
janë informalë, por janë "formalë", janë njerëz që kanë zbatuar ligjet e 
shtetit, duke u vendosur në tokat e caktuara, dhe jo si ata bashkëfshatarët 
e tjerë të tyre, që janë vendosur në toka ku t'u teket, e që quhen tani 
"informalë", si eufemizëm i fjalës shqipe "grabitqarë".

Shumë prej formalëve janë zhvendosur nga getot komuniste të fshatarëve "të 
tokave të përmbytura nga hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin", por edhe 
nga rezervuarët.  Ka prej tyre që janë nga ata fshatarë që komunizmi i 
dëboi, për arsye politike, nga një fshat në tjetrin.  Këto geto kanë qenë 
grumbuj ndërtesash e barakash, ngjitur fshatrave të ndryshme.  Me 
shpërndarjen e tokës, sipas "ligjit 7501" etj., komisionet e ndarjes së 
tokës nuk iu dhanë tokë në pronësi, ose iu patën dhënë shumë pak. 
Justifikohesh ky qëndrim me fjalët "nuk ju takon tokë, sepse do ta ndajmë 
sipas kufijve të vjetër".  Nuk po ndalojmë tani tek "zbatimi i ligjit të 
tokës në ato anë", sepse fundja ai zbatim ligji u pat pranuar nga shteti, 
dhe formalët, përfundimisht u zhvendosën në ato tokat pranë Durrësit etj.

Rezultuaka se disa prej formalëve, pra të ardhurve sipas rregullit, nuk 
paskan arritur të marrin dokumentet e pronësisë në qarkun e Durrësit.  Mund 
t'ju gjejnë "të meta" fshatarëve të shkretë, sepse qeveria jonë është e 
specializuar t'u gjejë të meta burokratike shtetasve të saj, vetëm vetes nuk 
di t'i gjejë të meta kurrë.  Sido që të jetë gjendja me dokumentet, të 
kryera apo jo, qeveria duhet fillimisht t'i pajisë me to, duke i ndihmuar, 
dhe jo duke i penguar.  Pasi ata të jenë bërë pronarë me "të gjitha letrat 
në rregull", atëherë duhet t'u thotë:

"Duhet të lëshoni tokat e shtëpitë tuaja, por për këtë do t'ju shpërblejmë 
të gjithë dëmin që ju shkaktojmë, si vlerën e shtëpive që keni ndërtuar, si 
të tokës, si të bimëve që do t'ju dëmtohen si dhe të dëmit që ju shkaktojmë 
me zhvendosjen tjetër. E nëse ju nuk jeni dakord, atëherë qeveria do t'ju 
gjejë vend të ri, me të njëjtën vlerë, ku do t'ju zhvendosë".

Nuk ka sesi të durohet nga shoqëria jonë, që këta fshatarë të rregullt, 
formalë, të trajtohen nga qeverisja si grabitës, e bashkëfshatarët e tyre 
"informalë", ata që grabitën tokat, të përkëdhelen, sepse u duhet prapë vota 
e këtyre të fundit, për të mbajtur pushtetin.  Kjo qeverisje ka ndërmend t'i 
përzërë me forcë formalët, e po bën çmos të legalizojë informalët-nëse 
shoqëria shqiptare do ta lejojë një krim të tillë.

Shkruesi i këtyre radhëve, edhe si deputet, është përpjekur t'u mbushë 
mendjen shumë prej këtyre fshatarëve, që të vendoseshin në tokat që u kishte 
caktuar shteti, të zbatonin ligjin, se ata që e thyejnë ligjin herët a vonë 
do ta paguajnë, e të tjera si këto.  Fatkeqësisht po fitojnë ata që nuk 
zbatuan ligjin, informalët, dhe po humbin ata që e zbatuan, formalët. 
Indinjata ime me qeverinë aktuale, merr formë më konkrete, sidomos për të 
ardhurit nga fshatrat e bregut të Drinit, në ish-rrethet Tropojë (komunat 
Bytyç, Tropojë, Fierzë), Pukë (komunat, Fierzë, Blerim) dhe Kukës (komuna 
Malzi-Shëmri), mjerimin e të cilëve "e kam pasë prekur me dorë".

Së paku opinioni shqiptar i të ndershmëve, duhet t'i përkrahë formalët, me 
gjithë se janë relativisht pak, sepse pak janë të ndershmit në shoqërinë 
tonë.

Bashkim Kopliku
21.6.2008


Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
E-mail: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both  addresses! 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club