[AlbClub] Shkollat në Kosovë e turizmi tek ne

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Fri, 27 Jun 2008 07:55:53 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <029c01c8d81a$8af747b0$0401a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Shkollat në Kosovë e turizmi tek ne
[Gazeta Shqiptare, 27.6.2008]

Tani nga qershori, kanë ardhur shumë pak plazhistë nga Kosova, sepse vijnë 
kryesisht në korrik e në gjysmën e parë të gushtit.  Sezoni i tyre është i 
shkurtër, praktikisht vetëm një muaj e gjysmë.  Ja një zgjidhje fare e 
thjeshtë, që do ta rriste sezonin turistik shqiptar, e me të edhe numrin e 
turistëve: shkollat në Kosovë të fillojnë më 16 shtator, dhe jo më 1 
shtator.  Ministri Ylli Pango duhet të jetë "më i interesuari", sepse ka 
deklaruar se do të japë dorëheqjen, nëse nuk rritet numri i turistëve këtë 
vit.  Sa për kryeministrin, e dimë se ai nuk ka kohë, se merret me shfaqje 
televizive, me inaugurime etj.

Sistemi ynë shkollor sikur është përshtatur me sezonin turistik 
korrik-gusht, bile dhe pak para (qershori), dhe pak mbrapa (shtatori).  Para 
korrikut ka mbaruar shkolla, dhe pas gushtit shkollat tona nuk fillojnë para 
16 shtatorit.  Kështu, nxënësit e studentët tanë, si dhe prindërit e tyre, 
mund të shkojnë në plazh pa u penguar nga shkolla, në dy muajt korrik e 
gusht.  Nuk kanë ngut të lënë plazhin para "31 gushtit" sepse tashmë prej 
dhjetëra vjetësh shkollat në Shqipëri, nuk fillojnë më 1 shtator, siç 
fillojnë në Kosovë.

Në masën e njerëzve që lidhen me plazhin, janë edhe me mijëra kamerierë, 
pastrues e punonjës të tjerë sezonalë të turizmit që janë nxënës shkollash 
dhe studentë.  Të gjithë këta janë të përshtatur rreth dy muajve korrik e 
gusht.  Por nuk janë të përshtatur kosovarët.

Po në këto muaj, korrik e gusht, vijnë për pushime, edhe shumë shqiptarë që 
jetojnë e punojnë jashtë.  Kryesisht janë ata që vijnë nga Italia dhe 
Greqia.  Në Itali, pushimet janë përqendruar kryesisht në gusht, bile në 
pjesën e dytë të tij. Quhet ferragosto (pushimet e gushtit), festa e 15 
gushtit, por pushimet shpesh shtrihen nga 1 deri më 31 gusht, ose bile dhe 
nga 25 korrik deri në 10 shtator.  Edhe në Greqi, pushimet shtrihen 
kryesisht në korrik dhe gusht.

Por shumicën e turistëve "të huaj", i përbëjnë kosovarët, e për ta duhen 
menduar më shumë.  E ata kanë probleme me pjesën e dytë të gushtit, sepse 
shkollat në Kosovë fillojnë më 1 shtator.

Nëse në Kosovë shtyhet shkolla për 16 shtator, praktikisht sezoni turistik, 
nga 1, 5 deri 2 muaj, bëhet 2 deri 2,5 muaj, gjë që po t'i hysh llogaritjeve 
statistikore, mund të sjellë një rritje të turizmit edhe prej 25%, gjë që 
nuk është pak.

Kemi diskutuar sa shpjeguam, prej disa vjetësh, me disa operatorë turistikë 
(persona që merren me turizmin, si pronarë hotelesh, agjencish, restorantesh 
etj.), nga Shqipëria dhe nga Kosova.  Mbase tani që Kosova u bë edhe 
zyrtarisht e pavarur, qeveritë tona do të veprojnë.

Por, nuk kemi shpresë se do të merret ndonjëherë "me këto vogëlsira", 
kryeministri ynë aktual.  Ai është i zënë deri në mani me inaugurime etj. 
Besojmë se e patë se deri në ç'turp arriti, sa t'i rrëmbejë nga dora 
kryetarit të Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako, gërshërën e prerjes së 
shiritit, kur durrsaku dhe kosovari (kryeministri Thaçi) po inauguronin 
rrugën "Pavarësia e Kosovës" në Plazhin e Durrësit.  Nuk kishte punë fare të 
furej kryeministri, qoftë se aty ishte i pari, kryetari i Durrësit, qoftë 
dhe se rruga që po inaugurohej, "Pavarësia e Kosovës", ka qenë investimi më 
i anatemuar nga kryeministri aktual, kur ai ishte në opozitë.  Mbase 
kryeministrit iu duk si "i vogël" kryetari i bashkisë së Durrësit, sepse në 
bashkitë e Tiranës dhe atë të Vlorës, nuk guxoi, jo më të përzihet kur ato u 
vizituan nga kryeministri Thaçi, por as të jetë prezent.

Qeveritë tona, në Tiranë dhe në Prishtinë, duhet të merren fillimisht me 
gjërat më kryesore dhe më lehtë të zgjidhshme.  Zgjatja e sezonit turistik, 
është një prej tyre, e shumë më kryesore se "ndërtimi i një tec-i shtetëror 
të përbashkët" (central elektrik me qymyr)-centralin e ndërtojnë më mirë 
privatët sesa shtetet, kurse fillimin e shkollës nuk e caktojnë dot 
privatët.


Bashkim Kopliku
25.6.2008

Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
E-mail: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both  addresses! 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club