[AlbClub] Miu (shkurt)
GH <[email protected]> Sun, 29 Jun 2008 08:54:06 +0200
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List ***
Njerëz dhe minj.
Një krahasim fatkeq i ditëve të fundit i një grupi njerëzish për shkak
të sjelljes së tyre sociale me "minj gjirizesh" më riktheu në një kohë
të vështirë, kur retorika e komunikimit social e lejonte; ose për të
qenë më i saktë e mundësonte një gjë të tillë për arsye historike
fatkeqe të vetëkuptueshme. Në fakt shqipja në përdorimin e saj të
përditshëm nuk bën ndonjë dallim midis llojeve të minjve, duke i i
përfshirë të gjithë këta brejtës të disa lloj speciesh në një kategori
të përbashkët, por kur shqipja e ka të nevojshme të theksojë faktin se
nuk është fjala për miun shtëpiak diskret por pikërisht për atë më të
ndytin, më të rrezikshmin, për mbartësin e të keqes, prurësin e
murtajës e përcakton këtë specie duke shtuar mjedisin ku ai jeton si
pjesë të vetëkuptueshme së cilësimit të tij duke e quajtur atë "mi
kanalesh". Kur ky koncept përdoret me qëllime metaforike, pra i lipset
një ngjyrim emocional i veçantë për të treguar karakterin e tij
jashtëzakonisht antinjerëzor flitet për "minj halesh" ose në formën më
të përkryer të konceptit për "minj gjirizesh". Në këtë formë ky
koncept përdoret zakonisht në format terminale të komunikimit, kur një
shkëmbim mendimesh shihet nga pala përdoruese tij si tashmë i
panevojshëm duke i hapur rrugë opsionit final, shfarosjes së tij.
Me "minjtë e gjirizeve" si bartës të një simbolike tejet antinjerëzore
njeriun e lidh vetëm nevoja që ky ndjen për shfarosjen e tij dhe në
këto formë koncepti përdoret në retorikën politike për të justifikuar
pikërisht këtë të fundit. Siç e përmenda shkurt në fillim, përdorimi i
konceptit të rikthen në një kohë të errët të historisë së re
evropiane, kur në vijim të propagandës anti-semite dhe për t'i
paraprirë shfarosjes masive të çifutëve evropianë nga ana e regjimit
nacional-socialist të Raihut të Tretë, "minjtë e gjirizeve" u përdoren
me një mjeshtëri deri atëherë të paparë të kinematografisë
bashkëkohore për të simbolizuar të keqen të pa-pabëshme dhe për të
amplifikuar apelin për shfarosjen e tyre si i vetmi opsion oportun.
Kujt i ka qëlluar ta shohë filmin "Der ewige Jude" ("the eternal Jew")
e di se për çfarë është fjala, krahasimi i një grupi social me
komunitetin e "minjve të gjirizeve" e lehtësoi së bashku me
ndërgjegjen e vrasësve edhe punën e një makinerie tejet eficiente për
vrasjen dhe shfarosjen e një grupi social në një dimension deri
atëherë të paparë. Evidentimi i ngjashmërisë së jetës së "minjve të
gjirizeve" me atë të çifutëve të Getos së Varshavës është një nga
qëllimet kryesore të filmit, i cili do të duhej të funksiononte si
aperitiv i holokaustit. Filmi ju tregua deri në ditët e fundit të
diktaturës naziste një publiku prej miliona gjermanësh dhe
austriakësh, të cilët nga ana e tyre, falë edhe këtij filmi, nuk e
patën aspak të vështirë të angazhonin ata disa qindra mijëra vrasës,
të cilët me besimin se ishin duke shfarosur të keqen, vranë 6 milionë
njerëz pikërisht duke i perceptuar si minj.
Në Gjermani dhe Austri ky film mund të shihet rrallë, vetëm në vijim
të ndonjë diskutimi shkencor lidhur me propagandën antisemite nacional-
socialiste në Raihun e Tretë, pasi për karakterin e tij antinjerëzor
qëndron në listën e atyre pak gjërave të ndaluara të hapësirës
kulturore gjermanishtfolëse sot aq liberale. Filmi është një produkt
gjenial propagandistik, pasi dogma naziste gjen nëpërmjet simbolikës
së minjve rrugën më të shkurtër për të aktivizuar një mekanizëm
vrastar në ndërgjegjen e njeriut, i cili siç duket qëndroka i fshehur
gjithnjë në një skutë shumë të thellë e të errët të saj. Për
dashamirës së kinematografisë së epokës filmi mund të rekomandohet
padyshim edhe thjeshtë si një risi regjisoriale dhe skenike,
megjithëse mesazhi diabolik i tij është aq dominant, sa nuk të lejon
asnjëherë të thellohesh vetëm në kontrastet bardhë e zi të tij apo
lojërat aq interesante dritë-hije, për të shijuar vetëm komponentin
artistik dhe estetik të tij.
Në kohët normale krahasimi i njerëzve me "minjtë e gjirizeve" është
një akt përjashtimor, i cili gjen vend me shumë vështirësi në fjalorin
e përditshëm vetëm kur për këtë ka një nevojë impertinente të
karakterit historik, por edhe kjo nuk është e lehtë. Të ndërgjegjësuar
se me "minjtë e gjirizeve" na lidh vetëm detyrimi i vetëkuptueshëm
higjenik për shfarosjen e tyre është e vështirë që koncepti të
përdoret në mënyrë metaforike për të cilësuar një marrëdhënie
ndërnjerëzore të pakëndshme për njërën palë apo për tjetrën. Në gjuhën
e zakonshme, për të cilësuar pikërisht atë veti të pakëndshme të
karakterit të tjetrit në vijim të një diskutimi, ky mund të krahasohet
me shumë kafshë të ndryshme dhe kjo varet nga kultura brenda të cilave
është duke u zhvilluar diskutimi, niveli social i bashkëbiseduesve dhe
sigurisht edhe gjuha përkatëse që përdoret ne vijim të tij. Madje
njeriu ka projektuar aq shumë nga karakteri i tij në perceptimin e
shumëllojshmërisë së botës së kafshëve, sa për çdo situatë mund të
gjehet dot gjithnjë një zgjidhje; e cila e parë nga një perspektivë
darviniste shtrihet dot nga ameba deri tek majmuni.
Me disa përjashtime kryesisht të karakterit biblik, ka pak kafshë të
cilat do të shërbenin si prelud i asgjësimit fizik të tjetrit, ose të
paktën i shprehjes së domosdoshmërisë së një aksioni të tillë. Për
insekte parazitarë si tartabiqja, pleshti, apo të tjerë si karkaleci
[kur "bie"], jo-vertebrorë si shushunjat, zvarranikë tinëzarë si
gjarpri në përgjithësi apo nepërka konkretisht, ndërgjegja kolektive
ka rezervuar si të vetme rrugëzgjidhje shfarosjen e tyre dhe padyshim
që "minjtë e gjirizeve" zënë vendin primar në këtë masakër metaforike
të njeriut. Minjtë do të duhet të kenë zënë këtë vend në ndërgjegjen
historike të paktën evropiane si mbartës dhe përhapës së sëmundjes
fatale të murtajës dhe duke përfunduar, këtu do të ishte sugjerimi i
dytë artistik për ata të ngeshëm që do të gjenin kohë të lexonin:
Murtaja e Albert Camus. Roman i jashtëzakonshëm për njeriun ndër të
tjera edhe mbi minjtë.
GH
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club