[AlbClub] Gazetarë, e jo falsifikatorë

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <015301c7eeb6$f28e2950$0501a8c0__34631.9791897715$1188904554$gmane$org@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Gazetarë, e jo falsifikatorë
[Sot, 4.9.2007]

Gazetari në botën e lirë, është në krye të përpjekjeve për të vërtetën. 
Janë gazetarët që me punën e tyre, kanë kontribuar si për zbulimin e 
fakteve, si dhe për mbrojtjen e të vërtetave.  E ka mjaft shembuj të tillë, 
dhe në masmedian tonë.  Por ka edhe ndonjë gazetë, që i vihet në shërbim 
indirekt përhapjes së të pavërtetave e të falsifikimeve.  Të tilla nuk ka 
pak, e prandaj problemi nuk është "personal" por gjithëpërfshirës, aq më 
tepër që jemi në "aksionin me goditje të përqendruar" të rishkrimit (të 
rifalsifikimit, mendojnë disa) të historisë, të urdhëruar nga kryeministri 
aktual.

Për ilustrim, po marrim një rast "personal", nga gazeta "55"-detyrohem të 
marr me dhimbje si shembull të keq këtë gazetë; them me dhimbje, sepse kam 
shkruar rreth 10 shkrime në të, kur kryeministri aktual ishte në opozitë. 
Ilustrimi me ngjarje që lidhen personalisht me ty, ka përparësi kur përdoret 
për dokumentimin e falsifikimit, sepse ngjarjen nuk e di njeri më mirë se 
ti.  Ja më konkretisht:

Para disa ditësh, në këtë gazetë silleshin ca "kujtime" rreth grevës së 
urisë e të përndjekurve politikë, në gusht të vitit 1994.  Në këtë shkrim 
gënjehej edhe për qëndrimin tim të asaj kohe, prandaj iu drejtova gazetës 
për të botuar, sipas ligjit, një përgënjeshtrim timin, por ajo nuk e botoi, 
se nuk e botoi.  Ja faktet mbi ngjarjen.

Policia, në vitin 1994, kur "kryetari dhe urdhëruesi për çdo gjë, ishte z. 
Berisha", i pat nxjerrë me dhunë grevistët e përndjekur, nga lokalet ku 
zhvillonin grevën.  Unë, duke më ardhur keq për dhunën që thuhej se po 
ushtrohej, u pata shprehur pak a shumë si vijon:

"Mendoj se do të ishte mirë që forcat e policisë që po veprojnë kundër 
grevistëve, të përbëhen edhe nga oficerë dhe policë që vijnë nga ish-të 
përndjekurit politikë.  Kështu do të ishim më të sigurt, për trajtimin më 
human të  grevistëve".

Ky fakt falsifikohet në gazetën "55", në shkrimin e datës 27.8.2007, me 
titull "Ditar ('90-Shtator'94)", me "autor" Prof.dr.Myslim Islami.  Në vijim 
po citoj nga ky shkrim:

"Nënkryeministri Bashkim Kopliku u kish thënë të burgosurve politikë: -Ju që 
qëlluat ish shokët tuaj të burgosur politikë që u veshën policë, që u bënë 
shikas ....Një tallje e një tendencë për t'i futur në grindje"

Siç shihet, fjalët që sjell z. Islami, nuk ndryshojnë shumë nga fjalët e 
mia, por informacioni që përçon ai, është kryekëput i kundërt-të duket tamam 
stili sesi fabrikoheshin gënjeshtrat në Institutin bolsheviko-enverist të 
Marksizëm-Leninizmit, atë me drejtoreshë gruan e diktatorit.

Theksoj, se asnjë gazetë e kohës (viti 1994), qoftë edhe opozitare, 
natyrisht aq më pak edhe Zëri Amerikës (që përmendet "shkarazi" në shkrimin 
e z. Islami), nuk e kanë deformuar thënien time, siç po bën z. Islami 
sot-unë nuk kisha takuar fare me të përndjekurit grevistë, e as u isha 
drejtuar atyre.

Ja disa plotësime të fakteve, që të kuptohet edhe më mirë, se ku qëndron 
falsifikimi:

1-Nuk kisha asnjë detyrë ekzekutive që të lidhesh me ndalimin e grevës së të 
përndjekurve; as atë ditë, dhe as atë periudhë: atëherë isha 
zëvendëskryeministër i ngarkuar me reformën ekonomike, kishte rreth 16 muaj 
që nuk isha më edhe ministër i rendit publik.

2-Atë ditë (rreth datave 10-12 gusht 1994) ndodhesha në Durrës me dëshirën 
time (e mbase kundër dëshirës së eprorëve të mi!), në një pozicion politik, 
si anëtar i kryesisë së PDSH, si anëtar i kryesisë së Degës së PD Durrës, si 
deputet i Durrësit, dhe si banor i Durrësit.  Në këto cilësi, kam shprehur 
atë mendim që thashë, në ambiente të degës së PD-së.

3-Kam lidhje të veçanta me ish- të përndjekurit politikë.  Përveç të 
tjerave, në pozicionin tim si zëvendëskryeministër dhe ministër i rendit 
publik (në periudhën nga 16.4.1992, deri në 07.4.1993) kisha nënshkruar për 
emërimin në polici, të qindra dhe mijëra oficerëve nga radhët e të 
përndjekurve politikë, sipas ligjeve në fuqi.  Në sistemin e policisë, gjatë 
kohës që kam qenë unë ministri, janë punësuar edhe mijëra policë po nga 
radhët e të përndjekurve politikë.  Me shumë nga ata, kam pasur kënaqësinë 
të bashkëpunoj ngushtë e jam krenar që i kam pasur në krah.

E pra, këto janë fakte lehtësisht të verifikueshme, sepse akoma ka 
dëshmitarë që janë gjallë, kështu që gazeta "55" nuk do ta kishte fare të 
vështirë të "zbulonte" të vërtetat.  E vërteta e parë është, se urdhëruesi i 
dhunës kundër ish-të përndjekurve politikë ishte z. Berisha, e askush 
tjetër.  E vërteta e dytë është, se unë kisha pikërisht qëndrimin që sqarova 
më lart.  Por fundja, "55-a", nëse nuk kishte kohë të merrej vetë me të 
vërtetat, mund t' i binte edhe shkurt: të zbatonte ligjin duke botuar 
përgënjeshtrimin tim.  Meqë nuk bëri asgjë nga këto, na mbetet të mendojmë 
se jemi para një rasti, kur gazeta bëhet ortake në falsifikim, e natyrisht 
jo "ashtu kot", por sepse unë guxoj të kritikoj urdhëruesin e sotëm të çdo 
gjëje, z. Berisha.


Bashkim Kopliku
03.09.2007

Bashkim Kopliku
Phone: +355 (0)52 23663
Mobile: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]> 

www.AlbClub.com
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.