[AlbClub] Shteti prapë do të na lërë edhe pa ujë

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <04d701c7ef95$12dbaaa0$0501a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***





Shteti prapë do të na lërë edhe pa ujë
[Gazeta Shqiptare, 5.9.2007]

Po përsëriten lojërat e vjetra të pingpongut me ndërmarrjet komunale-këtë 
radhë me ato të ujësjellësve.  Po kalohen nga "pronësi e qeverisë qendrore", 
në atë të "qeverisë lokale"-një veprim krejt i kotë!  Pra prapë se prapë në 
dorë të shtetit.  Të kujtohen ristrukturimet "15 vjeçare", e pastaj kthimet 
kot për së koti, nga ndërmarrje shtetërore, në SHA (shoqëri anonime) po 
shtetërore, e të tjera absurde që përveçse na lënë pa ujë, na zhvatin edhe 
miliarda lekë nga xhepat tona të shpuara.  E pra ajo që duhet bërë, është 
privatizimi i menjëhershëm i tyre.  Zgjatja e privatizimit veçse na zgjat 
ndenjjen pa ujë.

Teoria e kalimit të ujësjellësve në duart e pushtetit lokal, daton nga 
fillimi i viteve '90.  Tashmë është klasifikuar si dështim i plotë, edhe në 
vendet me nëpunës shteti më të ndershëm se tanët, e do të jetë një dështim i 
plotë edhe tek ne, me nëpunësit tanë shtetërorë, që dinë veçse të vjedhin e 
të mos punojnë.  Po përse tani, në vitin 2007, qeveria i hyn një rruge të 
gabuar?

Mbase qeverinë e ka kapur frika se thuhet se thatësira e sivjetshme do të 
influencojë edhe në uljen e ujit të pijshëm; ose e ka kapur frika se nuk 
është e zonja t'i privatizojë shpejt ndërmarrjet e ujësjellësve. Duke u 
kaluar ujësjellësit pushteteve lokale, qeveria mbase shpreson që t'ua 
faturojë atyre edhe pakënaqësinë popullore nga keqësimi i furnizimit me ujë. 
Aq më tepër tani, kur shumicën e pushteteve lokale ku ujësjellësi ka peshë, 
e kanë fituar opozita, në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007?!  Kryeministri 
mund të dalë i qetë në televizione, dhe t'u japë mend kryetarëve të 
pushtetit lokal, sesi bëhet furnizimi i popullit me ujë-sikur nuk e kishte 
ai në dorë, e nuk bëri gjë fare.

Sidoqoftë, cilatdo të jenë shkaqet e absurdeve me ujësjellësit, dihet se kjo 
rrugë e zgjedhur nga qeveria, ka në themel mosprivatizimin e ujësjellësve, 
gjë që prapë pa ujë se pa ujë do të na lërë.

Natyrisht, nuk është e lehtë të privatizosh ndërmarrjet e ujësjellësve, dhe 
qeverinë do ta ngarkonte me dështime dhe suksese, por në fund, populli do të 
fitonte: do të zgjidhesh një herë e mirë problemi i furnizimit me ujë, në 
shtëpitë tona, në plazhet tona, dhe në bizneset tona.  Por kjo qeveri nuk e 
ka lënë fare vrapin tek zgjidhja me rrënjë e problemeve të popullit. 
Qeveria po punon thjeshtë që t'i rrejë mendjen këtij mileti, që t'i japë 
votën në 2009, edhe për nja katër vjet të tjera.

Nuk ecën fare as shpresa e shitjes së një pjese të aksioneve tek privatët, 
qoftë dhe nga pushteti lokal.  Privatizimi duhet bërë tërësor, me 100% 
pronar privatin.  Nuk funksionojnë fare eksperimentet me "bashkëpronësi me 
shtetin", që gjoja të sigurohet kontrolli i shtetit mbi privatin.  Nuk 
funksionojnë as ato privatizimet "me aksionin e artë" (veto e shtetit në 
ujësjellësit privatë), as edhe ato me "pjesëmarrje të punonjësve në pronësi" 
etj.  Tek ne, duhet privatizim i pastër në duar të privatit, ku shteti 
ndërhyn vetëm nëpërmjet ERRU (Entit Rregullator të Ujit)-dhe kjo për sa kohë 
ujësjellësit janë në kushte të monopolit fizik (nuk mund të ketë disa 
ujësjellës që furnizojnë me ujë në një rrjet qytet apo zonë të dhënë).

Qenia e ujësjellësit tërësisht privat, pa pjesë shteti në pronësi, siguron 
që edhe kontrolli i shtetit mbi ta, për cilësinë e furnizimit me ujë, por 
edhe për çmimin e ujit, të jetë më efikas.  Kontrolli i shtetit mbi veten, 
siç është rasti kur ujësjellësi është shtetëror (ose në bashkëpronësi me 
shtetin), është i zorshëm, bile edhe i pamundur: i bie të kontrollosh veten. 
Prandaj këmbëngulim që privatizimi të jetë pastër në duar të privatit.

Kjo qeveri nuk duhet lënë të tallet me kalimet e kota të ujësjellësve në 
duar të pushtetit lokal: janë paratë tona, është pasuria jonë, është 
ekonomia jonë, që po i keqpërdor.

Bashkim Kopliku
3.9.2007

Bashkim Kopliku
Phone: +355 (0)52 23663
Mobile: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]> 

www.AlbClub.com
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.