Or?t fol?se-tregim n? shqip

PERPARIM KAPLLANI <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***

(For alb-club)
   
  Tregim nga Përparim  Kapllani
   
   
  (Të drejtat i takojnë AUTORIT)
   
   
  Barbara Mckay nuk po gjente më qetësi që nga dita, kur Indrit Farka ishte gjetur i vdekur. Plot trembëdhjetë ditë që nuk e zinte gjumi dhe thurte ëndrrat më të bukura të kësaj bote. Ishte gati e pabesueshme, që ish-burri i saj misterioz të dergjej trembëdhjetë pashë nën dhe. I bëhej sikur, sapo të hapte derën e apartamentit të tij, do të gjente gjithandej monedha floriri të madhësive të ndryshme. Ngjyra e verdhë e monedhave të arit imagjinar po e verbonte tashmë. I shikonte florinjtë në sirtarët e pluhurosur, poshtë dyshemesë së drunjtë, brenda në sobë, në ndonjë cep lavamani, të fshehur me mjeshtëri thellë shtrojeve të pambukta. Një fantazi e çmendur e kishte kapërthyer të tërën. Ndërsa përpiqej ta hiqte mendjen nga thesari i padukshëm, i bëhej sikur ndonjë grimcë diamanti të shkëlqente që nga brendësia e faqeve të mureve memecë, të ftohtë dhe të shurdhët.
   
  “Ah, sikur të më ketë lënë ndonjë testament! Do t’i them lamtumirë të gjitha vuajtjeve,” ngashëreu Barbara dhe i hodhi një sy vetes në pasqyrën e makinës. Parkoi ngadalë dhe nxori çelësat, po ato çelësa që policia e Yorkut ia kishte dorëzuar ditën, kur ndërroi jetë Indrit Farka. I erdhi në mendje dita e parë, kur u takuan në një klub nate. Që në kërcimin e parë, Indriti i kishte kërkuar që të martoheshin, kundrejt një pagese. Pesë mijë dollarë për një martesë false dhe secili do të shikonte punën e vet. 
   
  U tha, u bë! Barbara kishte futur në xhep paratë, ndërsa Indriti çertifikatën e martesës. Që nga dita që u bë “nuse” ishin parë të dy edhe disa herë të tjera. Indriti ishte një emigrant shqiptar që kishte ardhur në Kanada pa dokumenta të rregullta. Punonte mekanik dhe kishte dëshirë që, sapo të merrte dokumentat, të kthehej në Shqipëri e të gjente një nuse shqiptare. Vitet kaluan dhe ata jetuan ashtu, të ndarë. Ajo i bëri tym paratë, që në tre muajt e parë, ndërsa ai i binte numrit të saj të telefonit dhe i kërkonte që të bashkëjetonin, sikur të ishin vërtetë të martuar. Shiheshin nganjëherë dhe… aq, gjer ditën që në mitrën e saj ngeci një pikë sperme dhe ajo mbeti shtatzanë. Lindi një djalë, të cilit i vuri emrin e të atit, Jeffrey, por rrjedha e ngjarjeve nuk ndryshoi. Ajo në punë të vet; ai në punë të tij. Indrit Farka e njohu Jeffrey-in si djalin e tij dhe i paguante Barbaras detyrimet mujore. Tashmë ai nuk ishte më.
   
  Dera kërciti dhe u hap përgjysëm. 
   
  “Njatjeta! Është ora 10 e mbrëmjes!” u dëgjua zëri i Indrit Farkës, ndërsa Barbara Mackay u drodh. Ishte zëri metalik i orës së murit, i markës “Braille Quartz Watch”.  Atë orë Indriti e kishte blerë afro 5 vjet më parë dhe në të regjistroi zërin e vet.  Asnjëherë nuk e kishte kuptuar atë dëshirë idiote të burrit të saj fals për të blerë orët folëse. I tingëllonte një ide e çmendur, një kapriçio skizofrenësh, që nuk kanë se me çfarë të merren e regjistrojnë zërin e tyre, në sende pa shpirt. Kur e kishte pyetur, se pse kishte blerë aq shumë orë folëse, ai ishte përpjekur t’i shpjegonte, se ndihej i vetmuar dhe ato, orët, i mbushnin dhomën me zëra njerëzorë.
   
  “E bleva këtë orë për të të kujtuar ty, se të dua edhe përtej vdekjes sime,” iu bë sikur dëgjoi përsëri zërin e tij që nga ora e murit. Rrotulloi gjithë frikë shikimin përreth apartamentit, por nuk dalloi gjë. Një e rrënqethur i përshkoi trupin. Nuk duhej të kishte ardhur vetëm. Pati ndjesinë se po harxhonte kohën kot, duke medituar situata të paqena, ndërsa minutat kalonin. Duhej të gjente patjetër thesarin e fshehur. Indriti duhej të kishte fshehur medoemos në shtëpi ndonjë grusht më florinj ose diamante të çmuar. E mbante mend shumë mirë, që Indriti i kishte thënë se të gjitha kursimet mujore i shpenzonte për të blerë flori të pastër dhe gurë të çmuar. Indrit Farka punonte si mekanik në një ofiçinë për rregullimin e makinave, shtatë ditë të javës. Jetonte vetëm dhe nuk kishte vese. Nuk pinte as duhan, as alkohol. Kur ndjehej vetëm, merrte në telefon Barbarën. 
   
  Kohët e fundit Barbara nuk i përgjigjej më. Kishte gjetur një mik të ri e bashkëjetonte me të. Kur policia e mori në telefon për ta lajmëruar se “burri i saj kishte vdekur”, në fillim ishte shtangur. U përgjigj, se i kishin rënë numrit të telefonit gabim.  Oficeri i policisë kishte këmbëngulur dhe i kishte përmendur emrin e Indrit Farkës. Ishte kthjelluar në çast dhe kishte dhënë një përgjigje të shpejtë.
   
  “Po zotëri, po vij menjëherë!”
   
  Tundi kokën, si për të shkundur mendimet e këqija. Doli përsëri jashtë e hapi bagazhin e makinës. Nxori që andej një çekiç, një kaçavidë, një levë, një sqepar dhe një palë pinca. E mbërthyer nga emocionet hyri përsëri në apartament dhe hodhi vështrimin rrotull me shumë kujdes. Nga t’ ia fillonte? 
   
  “Do të përpiqem të mendoj si ai. Nëse do të isha unë- ai, do t’ i fshihja florinjtë nën dyshemenë e drunjtë. Askujt nuk do t’ i vinte mendja që të bëhej një punë aq e kujdesshme. Do ta heq të gjithë parketin,” tha e vendosur dhe filloi nga puna. 
  Ngriti lart çekiçin dhe i mëshoi fort në dysheme. U dëgjua një krismë e thatë. Lëshoi çekiçin dhe futi në punë levën. Kaluan 60 minuta, kur një zë e bëri të dridhej që nga dhoma e gjumit.
   
  “Është ora njëmbëdhjetë e mbrëmjes!” Ishte përsëri zëri i gjallë i Indrit Farkës, që i lajmëronte kohën nga një orë tjetër. Një palë djersë të ftohta i kaluan përmes kurrizit.  
   
  “A do të më lësh rehat?!” ulëriti dhe pa me urrejtje andej nga i erdhi zëri. Fshiu djersët dhe puliti sytë. “Për çfarë dreqin e ke regjistruar zërin në të gjitha orët e shtëpisë?” pyeti me zë të lartë, por në dhomat bosh nuk iu përgjigj askush. Një fllad i lehtë i preku paksa flokët. Vuri re se dritarja e aneksit ishte e hapur, ndërsa rrjeta e shqyer, Ishte po ajo dritare, nga ku ishte futur njëri nga fqinjët, i cili kishte ndjerë një erë të rëndë të vinte që nga apartamenti i Indrit Farkës. Fqinji kishte çarë rrjetën me brisk dhe e kishte gjetur Indritin të shtrirë në divanin e tij dhe televizorin të ndezur. Në dorë mbante ende pultin e komandimit dhe gojën e kishte gjysëm të hapur. Kishte lajmëruar menjëherë policinë, të cilët kishin njoftuar spitalin dhe e kishin dërguar në morg. Indriti kishte pësuar infarkt të miokardit dy javë para se të gjendej rastësisht nga fqinji i tij që jetonte në një shtëpi aty afër. Në fakt nuk ishte fqinji, por qeni i tij që nuk pushonte së
 lehuri, ndërsa turrej i tërbuar drejt apartamentit të Indrit Farkës.
   
  “ E regjistrova zërin për të të kujtuar ty, se do të të ndjek përherë nga pas. A e mban mend, sesi më braktise dhe ike?  Po të pyes, a e mban mend? More me vete edhe Jeffrey-in, tim bir,” iu bë sikur dëgjoi zërin e tij, ndërsa iu morën këmbët. U ul në gjunjë dhë bëri pakëz pushim. 
   
  “Kjo është çmenduri! Unë jam çmendur. Po flas me të vdekurit!” belbëzoi Barbara, ndërsa me dorën e djathtë shtrëngoi çekiçin. Një flakëz optimizmi i vetëtiu në retinën e syrit. Po sikur të kontrollonte në tavanin e apartamentit? Tavani ishte i përbërë nga një shtresë allçie dhe pritej kollaj. Mjaftonte të kishte pakëz durim dhe brenda dy orëve mund ta hidhte të gjithë tavanin e shtëpisë për tokë.  E mbërthyer nga një fuqi e mbinatyrshme iu drejtua përsëri makinës, të cilën e kishte ngarkuar me një arsenal me vegla. Nxori një varre dhe një qysqi dhe triumfatore hyri sërisht brenda.
   
  “O do ta gjej thesarin, o bie e vdes!” mërmëriti Barbara dhe skërrmiti dhëmbët.  
  Bëri çudi me vete, sesi ishte e mundur që ta shkatërronte shtëpinë brenda një kohe rekord. “Të shkatërrosh është shumë lehtë, të ndërtosh është shumë e vështirë. Ishte njësoj sikur të pranoje, që të bëheshe njeri i keq; mjafton një sekondë, por për t’ u bërë njeri i mirë, duhet shumë mund edhe djersë.” Me sofizma të tillë për moralin Barbara Mckay ishte ngopur aq shumë, sa i kishte ardhur në majë të hundës. Kishte një djalë për të rritur dhe ai djalë nuk kishte më baba, pavarësisht se ishte produkt i një pikë sperme të hedhur padashje në mitrën e vet. 
   
  “Zëri im i lodhur dhe i drobitur mezi dëgjohet. Të shikoj kur hyn në dhomat e shtëpisë bosh. A e shikon këtë orë, në faturën e të cilës shkruhet “Braille Manual Silver Expansion Watch”? Numra të zinj janë vendosur në një fushë të bardhë. Ti bën një hap para e vë dorën e vogël mbi buzë. Nuk të besohet, që nuk jam më. Zëri im që nga muri lajmëron kohën. Kanë kaluar kaq ditë, që nga çasti, që m’u morën këmbët dhe rashë përdhe.” 
   
  Barbara rënkoi sërisht. Ishte po ai fllad i lehtë që i frynte nga dritarja dhe i sillte në vesh ato fjalë të pathëna. Ndoshta ishte shpirti i Indrit Farkës.
   
  “A e mban mend, kur jetonim bashkë? A të kujtohen ato çaste të lumtura, kur zgjoheshim herët në mëngjes e bëheshim gati për në punë? Ti vije çajnikun mbi sobë e më bëje çaj të nxehë me limon, që unë e rrufitja të gjithin, gjersa më përcëllonte fytin…”
   
  “Po, e mbaj mend,” pëshpëriti Barbara dhe u gëlltit nga tmerri.
   
  “Mos më ndërprit! Më lër të mbaroj!” tha flladi i ajrit, ndërsa Barvara Mckay u rrëzua në gjunjë në mes të dhomës së ndënjes.
   
   “Pastaj më thekje bukën e ma lyeje me gjalpë. Merrja pak djathë e pak ullinj, e haja, sikur nuk kisha ngrënë kurrë. Ti më jepje një të puthur në buzë, ndërsa vishesha me të shpejtë e i hipja makinës për të shkuar në punë. A të kujtohen këto grimca të vogla të jetës sonë të përbashkët? A të kujtohen? Ishim të lumtur, unë edhe ti, gjer ditën kur më le,” tha flladi i ajrit, ndërsa Barbara u ngrit përsëri në këmbë, në përpjekje për t’ u çliruar një herë e mirë nga haluçinacionet. Ajo që po ndodhte, në fakt nuk po ndodhte. Ajo ishte e frikësuar dhe aq. I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët. Asaj i duheshin paratë për të birin. Nuk ishte krim të kërkoje thesaret e babait për birin që e la pas, të vogël dhe të pambrojtur. Indriti duhej të kishte lënë diçka për të. Patjetër.
   
  “Është ora 12 e natës,” u dëgjua zëri metalik i Indrit Farkës. Këtë herë zëri nuk vinte as nga faqja e murit të dhomës së ndënjes, as nga dhoma e gjumit. Zëri vinte nga kuzhina. Hyri në kuzhinë, me frikën se mos përballej me vetë fantazmën. Psherëtiu e lehtësuar. Në bufe gjendej një tjetër orë folëse. 
   
  “Ti hyn në kuzhinë. Një orë tjetër me zërin tim të zvargur të informon temperaturën e ajrit . Emrin e saktë e ke të shkruar pas orës. “Quantum Talking Travel Alarm Clock”. Është në ngjyrë argjendi. Besoj e mban mend që kisha ftohtë edhe në temperaturë normale. Ndjeja të ftohtët, sepse më mungonte ngrohtësia njerëzore! Më mungonte kurmi yt i ngrohtë, fjalët e tua ledhatare. Më zhyste në dëshpërim mungesa e shikimit tënd; sytë e tu të mrekullueshëm, ku unë shihja veten time. Flokët e tu dhe sytë-pasqyrat e thyera, ku dalloja veten në qindra grimca drite.”
   
  Barbara bëri një rrotullim në vend 360 gradësh. Nuk dalloi asgjë. Kush kishte folur vallë?! Po kalonte në gjendje depresioni. Kishte filluar të fliste përçart me veten. Barbara nuk besonte në botën tjetër. Të gjitha i tingëllonin përralla për sa flitej për të vdekurit. Gjithnjë tallej me shoqet e veta, kur ato përpiqeshin të shpjegonin ëndrrat e tyre të vështira me të vdekurit.  
   
  “Pa shih, po ndaloke para orës së murit “Jumbo Wall Clock”. Siç e sheh mund të dallosh fare qartë një kalendar automatik, i cili tregon muajin, datën, edhe ditën e sotme. Kisha nevojë të dija, se edhe sa ditë më kishin mbetur që nga dita e fundit. Doja të kuptoja hapësirat tridimensionale dhe ty të të merrja si pikë referimi,” tha përsëri flladi i ajrit. 
   
  Barbara iu nguli sytë rrjetës së shqyer e tromaksur. I lindi një ide në të qindtat e sekondës. Po sikur ta bllokonte atë dritare, që ajri i freskët i natës të mos hynte më? Kontrolloi nëpër dhoma, se mos gjente ndonjë dërrasë. Oh, ja! Një dërrasë e prerë si me porosi. Kërkoi si e tërbuar nëpër sirtarë se mos gjente gozhdë. Brofi nga gëzimi, kur gjeti një kuti të ndryshkur të mbushur përplot me gozhdë. Filloi ta gozhdojë dërrasën si e tërbuar. Në çastin që po mendonte se mbaroi punë, dëgjoi përsëri zërin misterioz.
   
  “Mos kërko kot. Të vetmet thesare që të lashë pas është kjo tufë orësh kuarci. Ato janë gojët e mia që të thonë fjalët e pathëna. Mos rrëmo kot valixhet e pluhurosura. Gënjen veten, nuk të kam lënë asnjë testament. Nuk kam patur pasuri të fshehura, as llogari sekrete bankare. Afrohesh ngadalë dhe puth orën, sikur të puthësh fytyrën time. I vë buzët mbi akrepat e orës dhe më jep frymë. Buzë më buzë, e dashura ime, buzë më buzë! Unë jam vetë fryma që ti merr, ajri i ftohtë dhe i lagësht. Merr frymë, e dashur! Fryma ime të futet në mushkëri, ndërsa mbyll sytë e përlotur nga emocionet. Fryma ime të futet në poret e lëkurës. Të futet në rrënjët e flokëve. Rryma e ajrit përzihet me gjakun e kuq. Ngërthen palcën në shtyllën tënde kurrizore,” tha zëri, ndërsa Barbara eci mbrapsht dhe u pengua në një dërrasë të shkulur të dyshemesë.
   
  “I avitesh tavolinës, por një zë gjeli të mban këmbët. Është ora “Quantum Talking Desk Clock”. Mos i rrudh buzët, që nuk të kam lënë asgjë. Nuk të mjafton zëri im i lodhur? Gojët e mia të hapura në mur? Janë dyert nga ku mund të kalosh për në botën tjetër. E shoh që po të merren mendtë. Në mëdyshje, ndërsa të vështroj, lëkundem nga dilema vrastrare: Të hakmerrem apo të vazhdoj të të dashuroj? Edhe një hapëse e thjeshtë birre ka zërin tim. Zërin tim të regjistruar, që sa herë të pish, unë të të them “Gëzuar”. E çfarë do të ishte natyra pa dashurinë e njeriut për njeriun? Akull në veri dhe rërë në jug. E kuptova këtë shumë vonë, aq vonë, sa tashmë dergjem shtatë pashë nën dhe,” tha zëri dhe nuk u dëgjua më. 
   
  Barbara pati përshtypjen e keqe, se të gjitha orët folëse po trokisnin për hakmarrje. Ndjeu një shtrëngim të fortë në fyt, njësoj sikur ta kishin mbërthyer një palë duarsh të padukshme. Mori frymë me zor dhe u plas në tokë. Nga goja i doli një shkumë e bardhë në të verdhë. Në mjegull vuri re kokën me flokët kaçurrelë të Indrit Farkës. Kishte veshur po atë kostum të bardhë, që veshi ditën kur u martuan. Martesë false apo reale, ajo ishte e vetmja ditë martese, që ishte regjistruar në kujtesën e saj të lodhur. Burrë fals apo real, Indrit Farka ishte i vetmi burrë i planetit, që ishte babai i djalit të saj të vetëm. 
   
  Zgjati dorën për herë të fundit dhe preku me përgjërim gishtat e Indrit Farkës.
  Fund.

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.