[AlbClub] PAK UNIVERSITETE, PAK FARE PRIVATE
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <03ca01c825e6$723152c0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Kritikë, kundër kritikës për universitetet private: Pak universitete, pak Fare private [Gazeta Shqiptare, 13.11.2007] Në këtë shkrim do të kundërshtojmë dy nga grupet e akuzave të bëra nga kritikët e universiteteve private (shih "Ku privati, ku shtetërori", Gazeta Shqiptare, datë 9.11.2007). Këto akuza janë: 3-Numri i universiteteve është shumë i madh; tarifat e UP-ve (e universiteteve private) janë shumë të larta. 4-Rendja pas fitimit prish cilësinë e UP-ve. Do të tregojmë sesa mbrapa jemi, si me numrin e universiteteve në përgjithësi, si dhe sa mbrapa jemi me numrin e atyre private krahasuar me ato shtetëroret. Do t'i krahasojmë edhe me realitetin në vendet e tjera. Do të vërtetojmë se në kushtet tona, universitetet private për fitim (UPF) janë zgjidhja më optimale, e kjo pikërisht sepse synohet fitimi ekonomik. Kemi pak universitete Kemi pak universitete, janë pak të gjitha së bashku: UP dhe USH (universitete shtetërore). Nuk kemi fare "inflacion universitetesh", siç po ankohen kritikuesit e UP-ve. Ne kemi tani, në vitin shkollor 2007-2008, vetëm 11 USH dhe 15 UP, pra gjithsej 26 universitete. Mendoni se në SHBA (USA) ka mbi 8 000 shkolla të larta (universitete dhe kolegje etj., me 2 deri 4-vjeçare, që japin e nuk japin diploma standard). Ne po përmbledhim vetëm të dhënat e regjistruara për universitetet amerikane 4-vjeçare e sipër, të cilat japin diploma të standardizuara (degree granting). Të tillë, në vitin 2006, kishte 2 657. Pra i bie se në SHBA ka më shumë se 26,7 shkolla të larta për çdo 1 milion banorë, ose 8,9 universitete 4-vjeçare që japin diploma standard, për çdo 1 milionë banorë. Krahasoni me ne që kemi 7,2 universitete për çdo 1 milion banorë. Kemi pak studentë Por le të ndalojmë edhe te numri i studentëve. Ne, Shqipëria, gjatë vitit shkollor 2006-2007, kemi pasur gjithsej rreth 87 mijë studentë (nga këta, vetëm 6,8 mijë në UP-të), pra i bie se kemi pasur rreth 2400 studentë gjithsej për çdo 100 mijë banorë, dhe nga ta, vetëm 7, 9% frekuentonin UP-të. Këtë vit është rritur numri i studentëve, por nuk disponojmë të dhëna të sakta. Shihet qartë se kemi pak studentë. Në një listë prej 15 shtetesh të Evropës Qendrore dhe Lindore, ne jemi vendi me më pak studentë për çdo 100 mijë banorë. Konkretisht, Letonia, që ishte vendi me më shumë studentë, kishte 5 500 (pra 2,3 herë më shumë se ne), ajo ka pothuaj sa Shtetet e Bashkuara, që kanë rreth 6 000 (2,5 herë më shumë se ne), nga të cilët janë 4-vjeçarë që marrin diplomë standard, jo më pak se 3 700 studentë për çdo 100 mijë banorë! Edhe Turqia ka më shumë se ne, mbi 2700 studentë për çdo 100 mijë banorë. Kemi pak private Nga një krahasim i thjeshtë, kuptohet se relativisht (duke pasur parasysh numrin gjithsej të studentëve dhe të universiteteve) ne kemi pak studentë në universitet private, si edhe pak universitete private. Ja disa shifra nga bota: Koreja e Jugut, në vitin 2001-2002, kishte 84,1% të universiteteve private, dhe 78% të studentëve frekuentonin ato (për shkurtim po i shkruajmë të dhënat si vijon, Koreja 2002/84,1/78). Ja edhe disa të dhëna të tjera: SHBA, 2006/75,3/37,8; Japonia 2000/73.7/73.3; Republika Dominikane 2005/ 97.0/ 50.1 Uruguai 2002/88.9/12.0; Meksika 2003/ 41.8/72.7; Tajvan 2004/64.1/66.8; Rusi 2004/?/40,4; Hungari 2004/54,4/14,2, por ama Kuba 2005/0/0! Ne, Shqipëria, 2006/57,7/7,9. Mendoni, se para dy vjetësh kemi qenë vetëm me 2,3% të studentëve në UP-të-pra i lumtë punës së mirë të MASH, studentët e UP-ve janë rritur më shumë se tri herë! Rritja e privatëve, ulje e tarifave Po ndalojmë pak në ankesën e kritikuesve të UP-ve, se tarifat e UP-ve janë të larta (paratë që duhet të paguajë studenti për të vazhduar UP-në). Po, të larta janë, por tregu ekzistues, kaq i nxjerr. E vetmja mënyrë e uljes së tarifave është të rritet oferta në treg, pra të rritet, si numri i UP-ve, si edhe e numrit të studentëve në to. Prandaj, për të ulur tarifat, kritikuesit e UP-ve duhet të kërkonin lehtësimin e rritjes së UP-ve, dhe jo pengimin e rritjes së numrit të tyre, apo dhe uljen e tyre. Të jemi objektivë në kërkesat: ndaj UP-ve, po shtrohen gjithfarë pengesash, që USH-ve as që u shkon ndër mend t'ua bëjnë. Pra nuk ka fare shkak për të ulëritur: "obobo sa shumë universitete kemi", apo "sa shumë studentë", apo "sa shumë privatë" etj.-përkundrazi: nëse duam të arrijmë botën, duhet të kemi më shumë! Fitimi, shtytje për përmirësimin e Mësimdhënies Nuk ka më individualistë se ne shqiptarët. Le të krahasohemi me Japoninë, pikërisht se me ta ndryshojmë shumë si karakteristika të popullit. Nuk ka përse të ketë më shumë UPF në Japoni, sesa në Shqipëri. Duhet të ishte e kundërta, ne të kishim më shumë universitete private se Japonezët (natyrisht e kemi fjalën për numrin relativ, për përqindjen e universiteteve, e jo për numrin absolut të tyre). Kjo për faktin se japonezët e kanë treguar se janë më të aftë se ne që të bëjnë punë nëpërmjet institucioneve publike, dhe kanë nëpunës shtetërorë shumë më pak të korruptuar sesa ne-ata janë dhe të famshëm për punë kolektive, për ndjenjën e përkatësisë ndaj një grupi, e jo individuale. Pra ata, japonezët, mund të bënin "kolonën Shtet" aq të fortë sa edhe ta hiqnin "kolonën Treg". Por një gjë e tillë, nuk mund të thuhet për Shqipërinë, ku "kolona Treg" duhet të ndihmojë "kolonën Shtet" që është shumë e dobët. Vetëm forcat e tregut mund të përmirësojnë, të shtyjnë zhvillimin e arsimit në Shqipëri-shteti duhet të lehtësohet që së paku të arrijë të bëjë arbitrin dhe rregullatorin. Vërtetë në SHBA, shumica e universiteteve janë UPJF (universitete private, jo me qëllim fitimi), por jo të gjitha UP-të janë UPJF, siç aludojnë gabimisht kritikuesit tanë të UPF-ve. Konkretisht, në SHBA, UP-të zënë 75,3 %, dhe USH-të zënë 24,7 %. Por, nga UP-të, 79,3 % (e jo 100%) janë UPJF (universitete private jo me qëllim fitimi), kurse 27,3 % janë UPF. Nga ana tjetër, në shumë vende të tjera, shumica janë UPF. P.sh., Koreja e Jugut i ka pothuaj të gjitha UPF. Ne mendojmë se tek ne, nuk mund të kenë sukses, së paku për disa vjet (mbase nja 30 vjet!), universitetet private pa qëllim fitimi-duhet të ndryshojnë mendësitë e gjithë një shoqërie, që të kemi karakteristika të përshtatshme për sukses të OJQ-ve në këto fusha. Ne jemi individualistë, dhe pa kulturën e duhur për bashkëpronësi, e aq më pak për organizma kolektive pa qëllim fitimi. Edhe OJQ-të (organizatat jo për qëllim fitimi) që u ngritën këto 17 vjet, në fushat nga më të ndryshmet, ato vetëm formën kanë OJQ, sepse shumica e tyre kanë brenda "qëllimin e fitimit", dhe kanë faktikisht një pronar! Këtë realitet e kanë diskutuar gjerësisht shumë nga ata që sot janë për UPJF-të. E pra, nuk ndryshon gjë e madhe në princip, në mes një OJQ-je, dhe një UPJF. Tek ne, është pikërisht logjika e fitimit, që do të shtyjë UPF-të të përmirësojnë cilësitë, standardet. Nuk e sheh punën shkurt pronari, e thënka, "këtu nuk kemi të bëjmë me arsimim, por me biznes dhe kush paguan lekët do diplomën", siç thonë ca kritikues. Jo, pronari e di që duhet të shesë mall të mirë, arsimim të mirë, sepse përndryshe, me kohë, nuk do t'i shkelë njeri më në dyert e UPF-së së tij-po të doli nami i keq, hajde hiqe pastaj! Ata pronarë që sot bëjnë gafën e dhënies së diplomave kot, së shpejti do të falimentojnë-edhe vetë tregu do t'i nxjerrë jashtë loje, e natyrisht edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASH), duhet të bëjë punën e vet. * * * Në shkrimin tjetër, do të analizojmë sjelljen e forcave shoqërore dhe edhe të shtetit, dhe cilat janë drejtimet ku duhet të përqendrohet MASH, që të përmirësohet gjendja e universiteteve. Bashkim Kopliku 12.11.2007 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club