[AlbClub] Rritja e akcizave: ekstremizëm i maj të
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <029a01c8478e$6dc60040$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Rritja e akcizave: ekstremizëm i majtë [Gazeta Shqiptare, 26.12.2007] Po u rritkan akcizat e llambave inkandeshente, nga zero, në 100%. Edhe akcizat e karburanteve do të rriten, por gjithnjë duke mbajtur "me hatër" prodhimin vendas. Me demek, e para u bëka që të frenohet përdorimi i llambave inkandeshente, sepse janë joekonomike, krahasuar me llambat ekonomike (fluoreshentet etj.). E dyta, duket se bëhet thjesht për t'i marrë lekë shqiptarëve. E treta, gjoja bëhet për të mbrojtur prodhimin vendas, natyrisht në kurriz të xhepit të gjithë vendasve, shqiptarëve. Të gjitha këto, të vendosura për një ditë, janë vendime që sot nuk do t'i merrte as edhe një parti e majtë e qendrës, pra as më PS-ja e sotme, siç duket se po e reformon kryetari i saj Rama. Këto vendime mund t'i marrë vetëm një parti e ekstremit të majtë, siç e ka katandisur PD-në e sotme, kryetari i saj Berisha. Duhej bërë e kundërta: akciza e llambave të mbetej zero, akciza e karburanteve të ulej deri në zero, duke unifikuar me këtë rast akcizën e karburanteve të vendit me ato të importit. Po i marrim me radhë të tri rastet e mësipërme. e përbashkëta Për të tri rastet që do të diskutojmë, mbetet e përbashkët sa vijon. Kjo qeverisje ka maninë etatiste (të ekstremit majtist) që të marrë sa më shumë para nga xhepat e shqiptarëve, me pretendimin se ajo di t'i shpenzojë paratë tona më mirë se secili prej nesh veç e veç, pra më mirë se privatët: e keni dëgjuar qeverisjen aktuale, sesi mburret gjithë ditën e natën, se e ka rritur vjeljen e parave për në buxhetin e shtetit, krahasuar me vitin kaq apo aq?! Pra këto rritje akcizash, mund të jenë thjesht një mënyrë bizantine për të rritur të ardhurat në buxhet, duke rritur taksimin me akciza-jemi hasur vazhdimisht, këto dy vjet, me skuthllëqe të tilla. Tani le të kalojmë në analizën rast pas rasti. Llambat inkandeshente Gjithë bota po e redukton përdorimin e llambave inkandeshente, bile deri në zhdukje fare, duke i zëvendësuar me llamba ekonomike. Arsyetohet si vijon: "Llambat ekonomike, për të njëjtën sasi ndriçimi, kërkojnë rreth "4-5 herë" më pak energji elektrike sesa llambat inkandeshente. Si rrjedhojë, duke i zëvendësuar llambat inkandeshente, kursehet rreth "75-80%" e energjisë elektrike." Qëllimi i zvogëlimit të përdorimit të llambave inkandeshente, është i drejtë, pavarësisht se në rastin tonë, të Shqipërisë, arsyetimi i mësipërm nuk është tamam ashtu, gjë që do ta shpjegojmë më poshtë. Mjeti që po përdoret nga qeverisja (qeveria, kuvendi etj.), "vendosja e akcizës 100%", nuk është i drejtë. Kjo akcizë do të rritë deri dy fish, çmimin e tregut të llambave inkandeshente, dhe njëkohësisht do të rritë edhe çmimin e llambave ekonomike, sepse do të rritet shumë kërkesa për to (njerëzit do të detyrohen të blejnë llamba ekonomike)-fatmirësisht nuk kemi "mbrojtje të prodhimit vendas" edhe për llambat ekonomike, kështu që rritja e çmimit të tyre nuk do të jetë deri dy fish. Rruga e drejtë, ajo që po përdorin edhe shtete të tjera, është si vijon. Bëhet punë bindëse me konsumatorët, për leverdinë e zëvendësimit të llambave inkandeshente, dhe nëse dëshirohet që të shtohet shpejtësia e bindjes, atëherë bëhet subvencionim i llambave ekonomike. Pra shteti nuk bën politikë që të rritet çmimi i llambave, por bën të kundërtën: bën politikë që të ulet çmimi i llambave ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, ne do të thoshim që duhet bërë vetëm punë bindëse, dhe as subvencionim, dhe as vendosje akcizash. Duhet theksuar, se shteti shqiptar duhet të bëjë edhe një punë shumë të rëndësishme, para se të marrë yrysh me futjen në masë të llambave ekonomike: të eliminojë rrezikun nga zhiva që përmbajnë këto llamba. Ka kërkesa të veçanta për riciklimin e tyre: në botë, llambat ekonomike të prishura, trajtohen në mënyrë të veçantë. Por tek ne, deri tani llambat hidhen në plehrat e zakonshme, dhe në rastin më të mirë, përpunohen me landfill (mbulim me dhe), gjë që paraqet rrezikun e kalimit të avujve të zhivës në ujë dhe edhe në ajër. Nuk dimë t'i ketë hyrë njeri një studimi të këtyre problemeve nga ana e mbrojtjes së ambientit, në Shqipërinë tonë të dashur. Mos të ngutemi shumë, sepse Shqipëria ka specifikat e saja negative. E para, në kohën e ftohtë, energjia e llambave inkandeshente nuk humbet e gjitha, sepse një pjesë shkon për ngrohjen e ambienteve, kurse në kohën e ngrohtë, nuk është se ngarkon më tej kondicionerët, sepse përdorimi i tyre tek ne është i kufizuar. Gjithashtu, mos të harrojmë se cilësia e tensionit elektrik, tek ne është skandaloze: në tensionin e ulur tej normave, që është gjëja më e zakonshme tek ne, llambat ekonomike punojnë shumë keq, prandaj nganjëherë bëhet e domosdoshme përdorimi i llambave inkandeshente. Mos na del edhe kjo puna e llambave, si ato shpikjet e komunizmit, p.sh. ajo që "t'i zëvendësojmë lopët e vendit, me lopë holandeze": ishte një katastrofë ekonomike, sepse lopa holandeze, vërtetë nxirrte shumë qumësht, por kërkonte kushte mbajtje në stallë, dhe ushqimi shumë speciale, që në shumë raste nuk krijoheshin dot në Shqipëri. Apo mos po lodhemi kot duke analizuar konceptet etatiste të qeverisjes aktuale, si dhe gafat tekniko-ekonomike të sajat, kur shkaku i gjithë kësaj pune, mund të jetë thjesht tek korrupsioni ekonomik: mos ka dikush interesa në rritjen e shitjeve të llambave ekonomike, që po ua rritë çmimin llambave?! Karburantet Kemi shpjeguar gjatë (GSH, datë 06.12.2007, "Çmimi elektrikut dhe populizmi i politikës") se në Shqipëri duhet rritur çmimi relativ i elektrikut, pra duhet rritur raporti i çmimit të energjisë elektrike, me çmimin e karburanteve. Mënyra më e mirë e arritjes së rritjes së çmimit relativ të elektrikut, është ulja shumë e çmimit të karburanteve, dhe rritja pak e çmimit të elektrikut. Nuk do mend fare të kuptohet, se nëse qeverisja jonë do të hiqte akcizat e karburanteve, çmimet e tyre në treg do të uleshin, bile mbase me nja 30-40%. Vërtetë që do të uleshin të ardhurat në buxhetin e shtetit, ato që kalojnë nëpër duart e qeverisjes, por ama do të shtoheshin paratë në xhepat e shqiptarëve. Nuk e kemi fjalën tek rritja e të ardhurave të shqiptarëve, vetëm direkt nga ulja e çmimit të karburanteve, por edhe nga influenca pozitive në të gjithë ekonominë e vendit, që do të kishte një zgjidhje e tillë. PROTEKSIONIZMI Nuk po e zgjasim, me shpjegime të gjata. Bërja zero e akcizave, siç shpjeguam më lart, e heq edhe të keqen e mbrojtjes së "prodhimit vendas", që është, në këtë rast, një reminishencë bolshevike. Nëse do të shpresonim se do të ruanim prodhimin vendas, duke rritur çmimin e karburanteve, do të kishim bërë gabim të madh. Prodhuesit e vendit të karburanteve, le të bëhen të zotë, dhe të fitojnë në kushtet e çmimit të tregut, duke hyrë në garë, dhe jo duke na vjedhur para nga xhepat tona-apo prapë është puna e buxhetit të shtetit, meqë akoma prodhimi i vendit është shtetëror?! Vdesin këta pushtetarët aktualë, "të na bëjnë ndera" me paratë tona! Nuk po përmendim më "detyrimet nga OBT (Organizata Botërore e Tregtisë)", se e bëmë bozë: gjithnjë ankohemi, sikur të ishim askushi, se gjoja na shpien "në rrugë të keqe" të huajt! Bashkim Kopliku 22.12.2007 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club