[AlbClub] Për partitë e vogla ka nevojë Shqi përia
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <006601c84925$88243130$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Për partitë e vogla ka nevojë Shqipëria [Gazeta Shqiptare, 28.12.2007] Pjesë e diskutimit për ndryshimet në sistemin tonë zgjedhor, është "pragu elektoral" (Sperrklausel-termi gjerman; "election threshold"-anglisht). Ne mendojmë se Shqipëria aktuale ka shumë nevojë për partitë e vogla, prandaj nuk duhet që të rritet pragu elektoral, që ato të mund të mbeten në Kuvend. Konkretisht, ne mendojmë se nuk duhen ndryshuar përqindjet në pikën 3 të nenit 64 të Kushtetutës, ku shkruhet: "Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë vendin [...], nuk përfitojnë nga listat shumemërore përkatëse." Partitë e vogla vërtetë që kanë krijuar probleme në ndonjë shtet të botës, si rezultat i kushteve specifike të tij. Vërtetë që ka shtete ku janë krijuar vështirësi në mirëfunksionimin e qeverive, bile dhe janë penguar parlamentet në punën e tyre. Por nuk ka qenë, dhe edhe nuk është ky problem tek ne, siç nuk ka qenë edhe në shumë shtete të tjera. Këtë e konstaton kushdo që e ka ndjekur politikën tonë, kushdo që ka njohje të politikës shqiptare aktuale, si dhe asaj të "100 vjetëve të fundit". Problemi kryesor tek ne ka qenë gjithnjë, kapja e shtetit nga të mëdhenjtë, nga despotët, nga partitë e mëdha politike. Është pikërisht kontributi për "t'i penguar të mëdhenjtë në despotizmin e tyre", gjëja që vlerësojmë më shumë, kur ngulim këmbë që mos të përjashtohen nga Kuvendi, partitë e vogla. Qeverisjet tona kanë nevojë për konsensuse të gjera, qofshin dhe të vështira, dhe jo për vendime që merren lehtë "nga shumica", apo "nga të mëdhenjtë". Nuk i kanë ardhur të këqija Shqipërisë, "nga paaftësia për të marrë vendime të drejta", si rezultat se të vegjlit paskan prishur punë, me tekat, apo qoftë dhe me "meskinitetet" (shpirtvogëlsitë) e tyre. E keqja Shqipërisë i ka ardhur nga kapja e shtetit nga të mëdhenjtë: ka pothuaj një shekull, që Shqipëria ka vuajtur nga pushteti shumë i madh i kryetarëve despotë të partive tona të mëdha. Natyrisht që janë dëshirat e fshehura autokratike, që, në rastin e Shqipërisë, shtyjnë në rritjen e pragut elektoral, në përjashtimin e partive të vogla. Në botë ka mbi 300 sisteme zgjedhore, kështu që nuk ka ndonjë zotësi të madhe të gjendet ndonjë citim "nga eksperienca e botës", që të fshihet arsyeja e vërtetë: dëshira e "të mëdhenjve për të kapur shtetin, pa u penguar nga të vegjlit. Janë sistemet proporcionale (Verhältniswahl-gjermanisht; PR, proportional representation-anglisht) që sigurojnë përfaqësimin në parlament të partive të vogla. Prandaj dhe jemi për sistemin proporcional. Por, duke synuar moskapjen e shtetit nga despotizmi, duhet të kemi edhe deputetë që personalisht janë më pak të varur nga partitë e mëdha, pra duhen edhe deputetë që janë personalitete. Këta deputetë i prodhojnë më mirë sistemet mazhoritare (Mehrheitswahl-termi gjermanisht; plurality-majority system-anglisht). Kemi shkruar shpesh në favor të sistemit proporcional të personalizuar (Personalisierte Verhaeltniswahl-termi gjermanisht; MMP, Mixed Member Proportional-anglisht), pikërisht sepse ai siguron si përfaqësimin e pakicave, si dhe atë të personaliteteve: ka deputetë të zgjedhur direkt në zonat zgjedhore. Natyrisht, si kriter për parapëlqimin e sistemit, kemi edhe zhdukjen e mashtrimit berishisto-nanoist të megadushkut, prandaj dhe jemi për atë variant të këtij sistemi, ku çdo zgjedhës ka vetëm një votë, të përbashkët për partinë dhe deputetin (jo ky variant që kemi pasur deri tani, ku votuesi ka dy vota: një për kandidatin, dhe një për partinë). Kuvendi ynë duhet të ketë po 140 deputetë, por nga të cilët, 70 të zgjedhur direkt në 70 zona zgjedhore (jo më 100, siç e kemi tani), dhe 70 deputetët e tjerë, të përzgjedhur nga listat shumemërore të partive (jo më 40, siç e kemi tani); do të votohet një herë dhe me një votë të përbashkët për kandidatin dhe partinë që ai përfaqëson. Një sistem të ngjashëm kanë parlamentet e landeve (ndarje administrative) gjermane Baden-Württemberg dhe edhe në Nordrhein-Westfalen. Por le t'i mbahemi diskutimit të "pragut elektoral". Në një Kuvend me 140 vetë, në sistemin që propozojmë, atë "proporcional të personalizuar, me një votë e me një raund" (siç e përcaktuam në paragrafin më sipër), një parti që ka marrë 2,5% të votave, i takon të ketë 4 deputetë (rrumbullakosëm nga sipër, 2,5% të 140-ës). Kurse një koalicion partish, që i ka marrë 4% të votave, i takon të ketë së paku 6 deputetë. Nuk janë pak 4 deputetë, apo 6 deputetë, e kemi parë këta vite se ç'efekt kanë pasur një apo dy deputetë, e jo më 4 apo 6. P.sh., presidentin aktual e kemi "në saj të dy deputetëve", që siguruan kalimit e minimumit të votave të nevojshme për zgjedhjen e tij! Pra, duke u nisur vetëm me një nuhatje të përgjithshme, nuk ka nevojë ta rrisim pragun mbi 2,5%, përkatësisht 4%-bile mbase do zvogëluar (ka gjykata kushtetuese në botë, që i kanë nxjerrë anti-kushtetuese, e kundra principeve të demokracisë, këto pragjet elektorale, por nuk po i hyjmë asaj logjike: le ta quajmë një kompromis tashmë të kryer, këtë "2,5%" që kemi. Për të pasur një ide sasiore, mund të llogaritim se duke mbajtur pragun elektoral me 2,5%, nuk kemi respektuar votën e vetëm më pak se rreth 50 mijë zgjedhësve. Nëse do ta ngrinim këtë prag, p.sh. në 5%, do të kishim thënë se "pakicat" deri dhe prej 100 mijë zgjedhësish, nuk do të përfaqësoheshin në Kuvend! Këto shifra janë të mëdha për vendin tonë, që akoma është me popullsi të papërqendruar, as rreth ideve, por as edhe rreth qendrave të banuara, gjë që influencon edhe në unifikimin e ideve politike. E është pjesë e demokracisë, respekti i pakicave: vetëm komunizmi kishte respekt vetëm për shumicat, me shprehjet e tija të famshme: "pakica i nënshtrohet shumicës". Mendoni sesa do të bëheshin ata zgjedhësit e përjashtuar, duke pasur parasysh se kemi disa parti të vogla: pra mund të bëhet fjale për disa 100-mijëshe zgjedhësish që nuk arrijnë të zgjedhin! Ka raste, që zgjedhësit e shpërndarë në parti të vogla, kanë arritur të përbëjnë gjysmën e zgjedhësve të një vendi. Kështu, në Turqi, në vitin 2002, partitë që nuk arritën të kalojnë pragun elektoral (10%), përmbanin rreth 45% të votave të rregullta të të gjithë Turqisë. Po kështu, në Rusi, në vitin 1995, partitë që nuk hynë dot në parlament sepse nuk arritën pragun elektoral (5%), kishin mbi 45% të zgjedhësve të Rusisë. Në Ukrainë, në zgjedhjet e marsit të vitit 2006, edhe partia e kryeministres aktuale Natalia Vitrenko, si rezultat i interpretimit të pragut elektoral prej 3%, u nxor jashtë parlamentit. Edhe tek ne, pati probleme me LZHK-në (Lëvizja për Zhvillim Kombëtar), e cila nuk u përfaqësua në Kuvend në vitin 2005, "sepse ishte diku tek 4% e zgjedhësve" (me siguri mbi 4%, po të mos t'ia kishin vjedhur votat)-nejse, e kemi fjalën që heqja e LZHK nga Kuvendi, e ka dobësuar përfaqësimin e plotë shqiptar parlamentar. Rritja e pragut elektoral, bëhet shkak edhe për vetëpërjashtim nga zgjedhjet (self-disfranchisement), të shumë vetëve, duke qenë një nga shkaqet e fshehta të mospjesëmarrjes në votime. Shumë njerëz nuk vijnë në votime, sepse nga njëra anë, nuk e gjejnë veten në partitë e mëdha, dhe nga ana tjetër, partitë e vogla, ku ata do ta gjenin veten, nuk arrijnë të marrin aq vota sa të përfaqësohen në Kuvend. Në mbyllje, që të sigurohemi se nuk po ecim në "shtigje të pashkelura", bëjmë mirë të shohim dhe ç'bëhet në botë, sa e kanë të tjerët pragun elektoral. Rezulton se p.sh. Portugalia, Afrika e Jugut, Finlanda, Holanda dhe Maqedonia, e kanë pragun elektoral zero apo më të vogël se 1%; Danimarka dhe Izraeli e kanë pragun elektoral 2% (bile Izraeli e ka pasur 1,5%, deri para tre vjetësh); Greqia dhe Ukraina 3%; Norvegjia, Austria, Suedia 4%; Gjermania, Estonia, Letonia, Lituania, Hungaria 5%; duke vazhduar deri në 10% në rastin e Turqisë. Pra, duke iu mbajtur gjendjes që kemi, 2,5%, ne do të ishim në nivelin e Danimarkës e Greqisë, duke pasur shtete me prag më të ulët, dhe edhe më të lartë, gjë që na jep siguri "trashë e trashë", se nuk po kërkojmë ndonjë çudi, kur themi ta mbajmë pragun tonë elektoral tek 2,5%. Bashkim Kopliku 27.12.2007 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club